Lajme

Aktivistët e Sudanit thirrje për protesta, refuzojnë ndarjen e pushtetit me ushtrinë


Lëvizja protestuese e Sudanit ka njoftuar dy ditë greva mbarëkombëtare, duke hedhur poshtë përpjekjet ndërkombëtarë mbi një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me ushtrinë pas grushtit të shtetit, muajin e kaluar.

Shoqata e Profesionistëve Sudanezë (SPA), udhëheqësi i kryengritjes popullore që largoi udhëheqësin, Omar al-Bashir, në vitin 2019, deklaroi se nismat e ndërmjetësimit që “kërkojnë një zgjidhje të re” mes udhëheqësve ushtarakë dhe civilë, do të “riprodhonin dhe përkeqësonin” situatën. krizës së vendit.

Shoqata bëri thirrje për greva dhe mosbindje civile, të dielën dhe të hënën, nën sloganin “Jo negociata, pa kompromis, pa ndarje pushteti”.

Gjithashtu, njoftuan se do të vazhdojnë protestat derisa të krijohet një qeveri civile për të udhëhequr tranzicionin drejt sundimit të plotë civil.

SPA u ka bërë thirrje civilëve “të ngrenë barrikada në lagje dhe në rrugët kryesore, për të inkurajuar njerëzit, si dhe për të zvogëluar numrin e njerëzve që do të shkonin në punë”.

Protestuesit pro-demokracisë kanë organizuar demonstrata të mëdha duke denoncuar grushtin e shtetit, i cili prishi rrugën e vendit drejt demokracisë, si dhe u prit me protesta ndërkombëtare.

Në fillim të kësaj jave, Nureldin Satti, ambasadori i Sudanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), tha se grushti i shtetit “nuk mund të vazhdojë me mobilizimin që kemi parë dhe që do të shohim në ditët e ardhshme”.

Ushtria sudaneze mori pushtetin më 25 tetor, duke shpërbërë administratën tranzitore dhe arrestuar dhjetëra zyrtarë qeveritarë dhe politikanë.

Që nga grushti i shtetit, komuniteti ndërkombëtar ka përshpejtuar përpjekjet e ndërmjetësimit për të gjetur një rrugëdalje nga kriza, e cila kërcënon të destabilizojë më tej rajonin, tashmë të trazuar, të Bririt të Afrikës.

Bisedimet midis ushtrisë së kryesuar nga gjenerali, Abdel Fattah al-Burhan, dhe komponentit civil të Forcave të Lirisë dhe Ndryshimit (FFC) deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit.

Të enjten, sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, foli në telefon me al-Burhan dhe Abdalla Hamdok, kryeministër që u dënua me arrest shtëpie gjatë grushtit të shtetit.

Blinken kërkoi një kthim të menjëhershëm në një qeveri të udhëhequr nga civilët dhe lirimin e të arrestuarve në lidhje me grushtin e shtetit.

Udhëheqësi ushtarak i Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të përshpejtuar formimin e një qeverie të re, pasi urdhëroi lirimin e katër ministrave të qeverisë që rrëzoi në një grusht shteti.

Më herët Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar ndalimin e ndihmës amerikane për Sudanin.

Kjo pas marrjes së kontrollit ushtarak. 

 

Marrë nga Al Jazeera, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore