Lajme

Aktivistët e protestave të Hong Kongut përballen me 5 vite burg


Aktivisti i shquar i Hong Kongut, Lee Cheuk-yan, është shprehur se “historia do të shfajësojë ata që gjykohen”, pasi ai u deklarua fajtor së bashku me figurën e famshme mediatike, Jimmy Lai, për pjesëmarrjen e paautorizuar në një demonstratë.

Të dy, së bashku me ish-kryetarin e partisë Demokratike, Yeung Sum, po përballeshin me akuza mbi një protestë pro-demokracisë më 31 gusht 2019. Kjo protestë nuk ishte e autorizuar nga policia.

Lee dhe Lai ishin javën e kaluar pjesë e një grupi tjetër njerëzish të dënuar për organizimin dhe pjesëmarrjen në një tubim të paautorizuar më 18 gusht të të njëjtit vit, por në fund rezultuan si të pafajshëm.

Të mërkurën, të tre u deklaruan fajtorë por, sipas mediave lokale, Lee i tha gjykatës se ata nuk kishin bërë “asgjë të keqe dhe historia do të na shfajësojë”.

Treshja përballet me pesë vjet burg për veprën e pjesëmarrjes.

Më shumë se 10 mijë njerëz janë arrestuar ose ndjekur penalisht gjatë protestave të Hong Kongut në 2019-ën.

Në fundjavën e 13-të radhazi të protestave, tubimi i 31 gushtit ishte anuluar fillimisht nga organizatorët pasi policia arrestoi ligjvënësit dhe aktivistët pro-demokracisë, por turmat i vazhduan protestat.

Duke filluar si një marshim paqësor herët gjatë ditës, demonstrata kaloi në dhunë dhe kaos. Protestuesit dhe policia u përplasën në vende të ndryshme përreth qytetit.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe “të shtëna paralajmëruese” në përgjigje të protestuesve që kishin rrethuar selinë e qeverisë dhe digjnin barrikada apo mbeturina.

Pamjet video tregonin policë të cilët spërkatnin me spraj djegës protestuesit të cilët ishin brenda një vagoni treni dhe ndiqnin apo arrestonin të tjerët. Policia më vonë deklaroi se arrestoi të paktën 40 protestues.

Në një çështje të veçantë të mërkurën, aktivisti 30-vjeçar Andy Li, u paraqit para gjykatës me akuzat e cenimit të sigurisë kombëtare. Li u soll në gjykatë me një furgon policie, i shoqëruar nga policë të armatosur dhe një kolonë oficerësh me motor.

Li ishte një nga 12 personat e ndaluar dhe burgosur nga autoritetet kineze pasi ata u përpoqën të largoheshin në Tajvan me anije. Familja e tij ka ngritur vazhdimisht shqetësime në lidhje me mungesën e informacioneve për Linë. Ata shpesh ankoheshin se nuk dinin vendndodhjen e tij apo avokatin që i kishin caktuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore