Lajme

Aktakuzë ndaj Xhavit Drenorit, e rrahu djalin e një ish-prokurori


Xhavit Drenori

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Xhavit Drenorit, ish-kandidat për kryetar të Drenasit, pasi rrahu djalin e ish-prokurorit Ibrahim Berisha.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 nëntor të këtij viti, Drenori ngarkohet me veprën penale “Sulmi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

‘Më 19 tetor 2021, rreth orës 13:06, në rrugën “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në Gllogovc, i pandehuri për shkak të mosmarrëveshjeve të çastit me të dëmtuarin Ramadan Berisha, fillimisht janë fjalosur mes vete e pastaj me dashje e ka sulmuar të njëjtin duke e goditur me këpucë” thuhet në aktakuzë.

Ngritjen e kësaj aktakuze i akuzuari Drenori e konsideron të njëanshme.

“Total e njëanshme, total skandaloze. Skandaloze është ajo çfarë ka ndodh me mu ngritë aktakuzë për diçka që teorikisht ish dashtë me qenë e kundërta”, deklaroi Drenori.

Tutje, Drenori bëri të ditur se kanë bërë kërkesë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë që të përfshihet edhe Ramadan Berisha si i akuzuar.

“Është skandaloz, është i papranueshëm dhe avokati tashmë e ka bërë kërkesën që ta rishqyrtojë prokuroria lëndën”, ka thënë Drenori, duke shtuar se ky do të duhej të ishte palë e dëmtuar kurse Berisha i akuzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore