Lajme

Aktakuzë ndaj Nagavcit – rrezikon të dënohet me 5 vite burg ose 7 mijë euro gjobë


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Nagavci, është duke u akuzuar se më 21 mars të 2018, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gazi lotësjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i është gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.

Aktakuza e cila është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 30 korrik 2019.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatësit të Departamentit të Përgjithshëm në Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ertan Sejfulla, mirëpo i njëjti përmes një akti përcjellës të 2 marsit 2020, këtë lëndë e kishte përcjellë në Departamentin për Krime të Rënda.

“Me akte përcjellës me datë 02.03.2020 gjyqtari Ertan Sejfulla nga DP në këtë gjykatë e ka përcjellë lëndën në DKR”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërsa, sipas programit të Smil-it lënda i ishte ndarë gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trajtimi i këtij rasti.

“Sipas vendimit GJA nr 495/2021 të datës 25.08.2021 me Aktvendim të Kryetares Albina Rama është aprovuar kërkesa e gjyqtarit Agim Kuqi për përjashtimin e tij nga ky rast penal pasi ai më parë në këtë çështje ka marr veprime si gjyqtar i procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.

Me këtë, Nagavci po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore