Shqipëria

Akt pa “të meta”


Në harkun kohor të pesë viteve, Shqipëria ka përjetuar ulje-ngritje të forta politike dhe institucionale.

Mes tyre, sigurisht gjendet edhe Presidenca por akti i fundit pa “të meta” kërkon që vëmendjen kryesore ta marrë protagonisti absolut i saj, Ilir Meta.

Distanca prej qindra metrash nga godina e Kryeministrisë dhe qindra deklarata të shkëmbyera mes palëve zgjeruan diapazonin e ndasive dhe të mohimeve.

Politikë pa “të meta” s’ka por komunikimi është e meta kryesore e një tensioni të përshkallëzuar prej kohësh.

Data shënon 24 korrik dhe është dita e fundit në zyrë e ish-presidentit Ilir Meta.

Duhet të rikthehemi në datën 28 prill të vitit 2017.

Asokohe regjistrohej raundi i parafundit i zgjedhjes për presidentin e ri.

Meta mori 87 vota pro dhe 2 kundër për t’u caktuar si kreu i ri i shtetit.

“E meta” e parë rastisi të ishte angazhimi në fushatë për zgjedhjet e vitit 2017 deri në muajin korrik.

Pas fitores së mazhorancës, qeveria e re do të dekretohej më 10 shtator.

Dy muaj më pas do të vinte sinjali i parë i “të metave” mes presidentit dhe kryeministrit (Edi Rama).

Ishte 22 nëntori i vitit 2017 kur Meta kthente për rishqyrtim ligjin e parë (lidhur me tarifat gjyqësore)

Ky ligj do të ishte i pari në listën e ligjeve të kthyera nga Presidenca, 70 të tilla që nga 2017.

Me përjashtime të vogla, pothuajse të gjithë dekretet e Metës u rrëzuan dhe ligjet hynë në fuqi të pandryshuara.

Dy të meta ashpërsuan diskursin mes palëve – mazhorancës dhe presidentit.

Fillimisht ishte mosdekretimi i Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm dhe Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.

Tonet tashmë ishin përkeqësuar dhe çështja nëse presidenti mund të refuzonte apo jo dekretimin e ministrave, kaloi në Kushtetuese.

Më 2 mars të vitit 2020 Meta shënoi një tjetër “të metë” për një kryetar shteti duke thirrur protestë kundër qeverisë.

Thyerja më e madhe që regjistroi mandati i Metës në Presidencë ishte “8 qershori”.

Opozita e kryesuar nga ish-kryedemokratit Lulzim Basha sapo kishte djegur mandatet.

Meta nxori një dekret ku anulonte atë të mëparshmin që caktonte datën e zgjedhjeve më 30 qershor 2019.

Zgjedhjet u zhvilluan dhe menjëherë pas tyre mazhoranca ngriti një Komision Hetimor për shkarkimin e tij.

Më 9 qershor Kuvendi do të shkarkonte zyrtarisht Presidentin e Republikës, nga detyra e tij.

Ky shkarkim do të hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese më 16 shkurt duke vendosur për të mos shkarkuar Metën.

Kushtetuesja në këtë mënyrë shfuqizoi votimin e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.

“Mbajta premtimin, Presidenca një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar deri më 24 korrik 2022”.

Kështu do e përmblidhte esencën e mandatit të tij Meta mbrëmjen e 22 qershorit në një intervistë televizive.

Presidenti deklaroi me bindje se mezi po pret që të largohet nga posti aktual për t’iu kthyer politikës aktive.

“Do të jem në një politikë super-aktive jo aktive”.

24 orë pas dorëzimit të Presidencës, Metën e pret drejtimi i Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në tranzicionin e akteve politike, të paktën dorëzimi i stafetës ishte akt pa “të meta”.

Bajram Begaj do të jetë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore