Lajme

Aksioni në Veri: Sindikata e Doganës së Kosovës kërkon të mos rrezikohet jeta e doganierëve


Dogana e Kosovës

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës, ka dënuar ashpër sulmin ndaj zyrtarëve doganor në veri të vendit, dhe kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse të krijojnë kushte me të mira.

“Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës dënon ashpër sulmin e fundit ndaj punëtorëve të doganës dhe policisë dhe kërkon nga institucionet gjegjëse që të krijojnë kushte që të mos rrezikohet shëndeti dhe jeta e punëtoreve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, përmes një njoftimi për media, kanë apeluar tek qytetarët që Doganën e Kosovës të përkrahet në punën e tyre, si në mbledhjen e të hyrave ashtu edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës duke kontrolluar një barnatore

Ndërsa, gjatë ditës së mërkurë, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, rreth orës 09:00 të mëngjesit kishin filluar një aksion në katër lokacione të ndryshme të Kosovës duke përfshirë, Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut, Pejën dhe Prishtinën.

Por, policët dhe doganieret në Mitrovicën e Veriut hasën në rezistencën.

Serbët sulmuan Policët duke hedhur në drejtim të tyre, gurë, mjete piroteknike e granata luftarake të dorës. U raportua edhe për të shtëna me armë zjarri.

Gjatë këtij aksion u lënduan 10 policë të Policisë së Kosovës, të njësive speciale, në mesin e tyre edhe komandanti i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti.

Ky i fundit është lënduar nga granata e dorës, nga e cila ka pësuar lëndime në kokë, në qafë dhe në vesh. Kolegët e tjerë janë lënduar në ekstremitete, duar e këmbë.

Ahmeti bashkë me zyrtarët tjerë policor, ndihmën e parë mjekësore e kanë marrë në emergjencën e Mitrovicës së Jugut, më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë.

Pas trajtimeve të marra ai është liruar në shtëpi, por copëzat e granatës i ka ende në kokë, për heqjen e të cilave mjekët do të intervenojnë pas një kohe.

Nga kjo përleshje me Policinë në Veri të Mitrovicës, mbetën të lënduar edhe disa civil, protestues, për të cilët nuk është dhënë numri i saktë.

Në këtë aksion u dogj edhe një veturë e doganës së Kosovës.

Po ashtu, Policia e Kosovës, kishte arrestuar tetë persona dhe kishte shpallur në kërkim dhjetë persona të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore