Lajme

Aksioni në Shtërpce: Vetura, armë e para, krejt çka konfiskoi policia


Aksioni i Policisë së Kosovës në Shtërpcë, për korrupsion

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, Departamenti i Krimeve Ekonomike, nën urdhrin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt,  të martën kanë zhvilluar një aksion në dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, ku janë arrestuar dhjetë persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit dhe ndotje e degradim të mjedisit.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se aksioni i cili ka filluar në ora 6:00 të mëngjesit, është zhvilluar në Brezovicë, Shtëprcë, Ferizaj dhe Prishtinë.

“Gjatë një operacioni policor janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat e lartcekura. Me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme”, ka bërë të ditur policia.

Gjatë këtij aksioni, policia ka gjetur dhe konfiskuar para, armë, municion, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë bastisjes janë konfiskuar: një sasi e konsiderueshme para të valutave të ndryshme, armë të ndryshme, një sasi e municionit, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave si dhe pajisje të ndryshme elektronike. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, bën të ditur policia.

Ndryshe, gjatë aksionit të djeshëm është arrestuar edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, i cili dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Dhuratat që morën zyrtarët e arrestuar në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Brezovice, afer terrenit te skijimit

Prokuroria Themelore e Ferizajt dyshon se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nikolliç dhe nëntë persona të tjerë u arrestuan të martën nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, bënë të ditur autoritetet në Kosovë.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, gjatë një konference për media tha se Nikolliç dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ku gjendet edhe Brezovica.

“Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa vila që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha Maloku.

Sipas Malokut, shumica e ndërtesave të ndërtuara janë ndërtuar kundërligjshëm.

Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

Ndërkaq, Agron Haziri, shef i krimeve të rënda, tha se gjatë bastisjeve janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej mbi 61 mijë eurosh, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh si dhe monedha të ndryshme, përfshirë dollarë, denarë maqedonas, dinarë serbë dhe valuta të tjera. Po ashtu të dyshuarve u janë gjetur edhe pistoleta e pushkë ajrore, si dhe aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se autoritetet do të sekuestrojnë përkohësisht të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje.

Lidhur me arrestimet në Kosovë ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliç, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Nikolliç, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Ndaj arrestimeve reagoi Lista Serbe, e cila tha se e dënon “përdorimin e tepruar të forcës” dhe “aksionin brutal” që u krye në Komunën e Shtërpcës.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se gjatë këtij aksioni – me deklaratat nga terreni – policia ka penguar lëvizjen, hyrjen dhe daljen nga Komuna e Shtërpcës, të njerëzve të thjeshtë, përfshirë edhe ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Vuçiç, tha se “shteti [i Serbisë] do t’u ofrojë ndihmë juridike” të gjithë të arrestuarve në Komunën e Shtërpcës.

Duke folur para gazetarëve në Tiranë, ku mori pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, Vuçiç tha se Prishtina “ka thënë që në fillim se kriminelët jetojnë në veri të Kosovës”, por shtoi se tani “duket se ka disa [edhe] në jug”.

“Unë thjesht nuk e di se si ata [zyrtarët në Kosovë] nuk gjetën kriminelë më të rëndë gjatë rrugës, i gjejnë vetëm në mesin e serbëve”, tha Vuçiç.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se kjo është “një tentativë tjetër brutale për të frikësuar popullin serb në Kosovë” dhe “një terror i ri i kryeministrit Albin Kurti”.

Kush tjetër u arrestua?

Pos Nikolliçit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore