Lajme

Aksioni me “Call center”, Prokuroria Speciale në Kosovë sekuestron dhe ngrin mbi 2.3 milionë euro


Aksioni i Prokurorisë Speciale të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, i nisur më 31 mars 2021, në disa “Call center” në 17 lokacione të ndryshme të Prishtinës dhe Ferizajt, ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se nga aksioni i Policisë së Kosovës, i realizuar më pesë prill, janë gjetur dhe sekuestruar një milion e 529 mijë e 750 euro.

Sipas Prokurorisë Speciale, këto para “dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e “Call center”, në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe krimit të organizuar”.

Tutje në njoftim theksohet se nga data 31 mars 2021 e deri më tani, nga ky operacion janë sekuestruar rreth një milion e 689 mijë euro dhe një numër i konsiderueshëm i mjeteve të tjera.

“Janë gjetur dhe sekuestruar një milion e 689 mijë e 750 euro, janë ngrirë 700 mijë euro, janë sekuestruar nëntë vetura, janë arrestuar 18 persona si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, vijon njoftimi.

Tetë personave në Prishtinë e Ferizaj u janë vënë prangat nën dyshimin se mashtruan qytetarë gjermanë përmes një platforme të “Call Center”.

Prokuroria Speciale pati njoftuar se “personat e dyshuar në këtë rast kanë joshur dhe mashtruar qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “Call Center” duke iu ofruar për të investuar në aksione të ndryshme, si dhe në kriptovaluta që në këtë rast kanë qenë platforma fiktive dhe të dyshimtit kanë përvetësuar shuma të mëdha të hollash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Këtij operacioni i ka paraprirë një hetim i përbashkët në mes të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore