Kosova

Aksioni “Brezovica 3”, pezullohet zyrtari doganor që ishte arrestuar


Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se, me të pranuar njoftimin zyrtar për arrestimin e zyrtarit doganor në rastin “Brezovica”, ka pezulluar nga puna zyrtarin e arrestuar, i cili është i dyshuar se ka kryer vepra penale.

Tutje, Dogana ka njoftuar se procedimi disiplinor do të vijojë për të shqyrtuar veprimet e tjera disiplinore.

“Dogana e Kosovës përkrah dhe mirëpret veprimet ligjore që ndihmojnë në luftimin e korrupsionit dhe siguron publikun se nuk do të tolerojë veprime jo etike dhe jo ligjore në rangjet e veta”.

Nga, aksioni “Brezovica 3”, i zhvilluar të mërkurën e 16 marsit, janë bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, janë arrestuar një doganier dhe kryetari i Bordit të “Ski Center Brezovica”.

Këtë e kishte bërë të ditur Prokuroria e Ferizajit, derisa kishte sqaruar se të dyshuarit janë në ndalim policor prej 48 orësh.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica”.

Ndryshe, Dogana ka lansuar aplikacionin eDogana, i cili krahas mënyrave tjera mundëson raportimin e korrupsionit dhe kontrabandës në mënyrë krejtësisht anonime dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore