Financa

Aksionet e Tesla-s lakmohen në tregjet e aksioneve


Lëvizjet në bursa që lidhen me kompaninë Tesla të Elon Musk, gjenerojnë gjithnjë interes. Të apasionuarit pas kompanisë inovative apo fanatikët e tregjeve financiare, nuk kanë vuajtur nga monotonia këto ditë.

Së fundmi ishin lidhjet e shtuara me Bitcoin që tërhoqën vëmendje dhe që i rritën vlerën kësaj të fundit. Më pas, rënia e vlerës të Teslas në bursa, pas komenteve të Musk për çmimin e lartë të Bitcoin.

Pikërisht ngjarja e fundit, lidhur me rënien në vlerën e aksioneve, ka prodhuar lëvizje të reja. Fondi në pronësi të investitores Cathie Wood, i quajtur ARK Innovation, ka parë të arsyeshme të investojë e të blejë aksione me vlerë 171 milionë dollarë të Tesla-s. 

Fondi vlerësohet me 26,6 miliardë dollarë në tregje dhe ka patur performancën më të lartë mes kompanive simotra në vitin që lamë pas. 

Tashmë, aksionet e Tesla-s përbëjnë 10% të portofolit të total të investimeve që disponon ARK Innovation.

Ndërkohë, ka patur interes shumë të madh në blerjen e aksioneve të Tesla-s, me qëllimin për t’i rishitur në periudhë afatshkurtër. Të dyja këto lëvizje tregojnë për besimin e tregjeve lidhur me një ringritje të shpejtë të vlerës së aksioneve të Tesla-s, pas rënies me 13.4% më herët.

ARK Innovation ka një të shkuar të spikatur në blerjen e të ashtuquajturave “aksionet e momentit”. Strategjia në këto blerje është që duke kryer transaksione me vlera të larta, të tërheqë akoma më shumë blerës pas vetes. Në këtë mënyrë rritet besimi te kompania e, për pasojë, vlera e aksioneve të saj.

Për të kuptuar nëse këto trende të vlerave reflektojnë performancën reale të kompanive, duhet të presim akoma. Pas luhatjeve të shpeshta në ditët e fundit, ky duket të jetë rasti edhe për kompaninë e famshme të prodhimit të makinave elektrike.

Situata është e mirë për të apasionuarit e “basteve” në bursa dhe e tensionuar për investitorët me zemër të dobët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore