Shqipëria

Aksion policor në Shkodër/ 6 në pranga, 8 në kërkim dhe 246 kilogramë kanabis të sekuestruar


Forcat e Rendit në Shkodër kanë arrestuar gjashtë persona dhe ka shpallur në kërkim 8 të tjerë si bashkëpunëtorë në veprimtarinë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Gjithashtu Policia ka sekuestruar edhe 246 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet u kryen në kuadër të operacionit “Vallas”, ku pas një hetimi disaditorë rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin në fshatin Vallas, Shkodër, veprimtarinë e kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike.

Të arrestuarit janë shtetasit A. T., 28 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, B. R., 26 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, H. M., 51 vjeç, banues në Vallas, Shkodër, L. Ç., 34 vjeçe, banuese në Milot, Lezhë, A. U. 48 vjeç, banues në Velinaj, Shkodër, si dhe D. H. 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase u arrestua brenda disa orësh nga organizimi i operacionit policor “Vallas”, si rezultat i bashkëpunimit të mirëkoordinuar me strukturat e DVP Tiranë.

Të shpallur në kërkim janë shtetasit A. S., 34 vjeç banues në Bajzë, Malësi e Madhe, A. P., 38 vjeç, banues në Shirokë, Shkodër, S. B., 35 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër, B. L., 21 vjeç banues në Alimetaj, Shkodër, E. S. 20 vjeç banues në Shirokë, Shkodër, si dhe I. D., 26 vjeç, banues në Vallas, Shkodër, S. D., 34 vjeç, banues në Vallas, Shkodër, A. D., 29 vjeç, banues në Vallas, Shkodër (të afërm të njëri-tjetrit).

Si rezultat i kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar A. T.,  shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 246 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe 11 aparate celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin nga autorët për zhvillimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjithashtu, në vijim të kontrollit të imtësishëm të çdo pjese të territorit, në fshatin Vallas, Shkodër, u konstatuan dhe u asgjësuan me anë të djegies, nga ana e shërbimeve të Policisë, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në afërsi të banesës së shtetasit të arrestuar A. T.

Materialet u referuan në  Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore