Lajme

Aksidenti tragjik në Indi, Kurti: Kosova qëndron krah për krah jush


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen tragjike në Indi ku të paktën 288 persona tanimë dihet se janë vrarë dhe 850 janë plagosur në një përplasje të shumëfishtë treni.

Përmes një cicërime në “Twitter”, Kurti ka thënë se “i shpreh ngushëllimet më të thella Indisë për aksidentin tragjik të trenit”.

“Familjarët e viktimave të kenë kurajo dhe të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se “Kosova qëndron krah për krah me Indinë në këtë kohë dhimbjeje”.

Ndryshe, të paktën 288 persona tanimë dihet se janë vrarë dhe 850 janë plagosur në një përplasje të shumëfishtë treni në shtetin lindor të Indisë, Odisha, thonë zyrtarët.

Më shumë se 200 ambulanca u dërguan në vendngjarje në distriktin Balasore, bëri me dije ndërkaq kryesekretari i Odisha, Pradeep Jena.

Një tren pasagjerësh mendohet se ka dalë nga shinat para se të goditet nga një tjetër në binarët ngjitur vonë të premten.

Ky është aksidenti më i rëndë i trenit në Indi këtë shekull. Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve pritet të rritet më tej.

Indian Railways njoftoi se dy shërbimet e përfshira ishin Coromandel Express dhe Howrah Superfast Express.

Sudhanshu Sarangi, drejtor i përgjithshëm i Shërbimeve të Zjarrfikësve Odisha, tha se numri i të vdekurve ishte 288 aktualisht.

Jena ndërkohë tha më herët se më shumë se 100 mjekë të tjerë ishin mobilizuar.

Kryeministri indian, Narendra Modi, tha se ai ishte i shqetësuar nga incidenti dhe lutjet e tij ishin me familjet e viktimave.

“Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në vendin e fatkeqësisë dhe e gjithë ndihma e mundshme po u jepet të prekurve,” shkroi ai në Twitter.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Amit Shah, e etiketoi incidentin “thellësisht shqetësues”.

Një i mbijetuar tha se 10 deri në 15 njerëz ranë mbi të kur ndodhi aksidenti dhe gjithçka u prish.

“Unë isha në fund të grumbullit”, shpjegoi ai i tronditur. “Unë u lëndova në dorën time dhe gjithashtu në pjesën e pasme të qafës. Kur dola nga karroca e trenit, pashë dikë që kishte humbur dorën, dikush kishte humbur këmbën, ndërsa fytyra e dikujt ishte e shtrembëruar,” tha i mbijetuari për agjencinë e lajmeve ANI të Indisë.

Në këtë shtet është shpallur ditë zie.

Më shumë se 280 të vdekur pas aksidentit hekurudhor në Indi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore