Akademisë Spanjolle i kërkohet rishikim për përkufizimin e fjalës “hebre”

Sistemi i drejtësisë argjentinase i ka kërkuar institucionit spanjoll të tërheqë një nga kuptimet e mbiemrit që përshkruan një person "të pangopur ose fajdexhi"
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
27.09.2024 22:51
Loading Icons...

Një gjykatës argjentinas kërkoi të enjten tërheqjen e një prej përkufizimeve të fjalës “hebre” nga fjalori i Akademisë Mbretërore Spanjolle (RAE), i paraqitur si një mbiemër që mund të përshkruajë “një person lakmitar ose fajdexhi”.

Gjykatësi Ariel Lijo urdhëroi akademinë që “të heqë menjëherë përkufizimin e pestë të fjalës hebre sepse ajo përbën gjuhë urrejtjeje që nxit diskriminim mbi baza fetare”, sipas vendimit të gjykatës të cituar nga faqja e lajmeve argjentinase Infobae.

Përveç kësaj, ai i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Komunikimeve të Argjentinës që të bllokojë lidhjen me këtë përkufizim në fjalorin spanjoll online të RAE-s derisa të përmbushë këtë kërkesë.

Një ankesë u paraqit më 28 gusht nga Claudio Epelman, drejtor ekzekutiv i Kongresit Hebre të Amerikës Latine dhe Jorge Knoblovits, president i delegacionit të shoqatave hebraike në Argjentinë.

Ankesa, sipas Infobae, bazohet në një shkelje të një ligji argjentinas që parashikon një dënim me burg nga një muaj deri në tre vjet për ata që marrin pjesë në një organizatë ose propagandojnë “ide që synojnë justifikimin ose promovimin e diskriminimit racor ose fetar të çdo forme”.

Në vitin 2021 dhe 2023, institucionet hebraike dhe organizatat kundër diskriminimit i kishin kërkuar tashmë, Sekretarit të Përgjithshëm të RAE, Santiago Munoz Machado, që ta hiqte këtë përkufizim.

Argjentina është shtëpia e komunitetit më të madh hebre në Amerikën Latine, i cili ka regjistruar dy sulme kundër saj: një kundër ambasadës izraelite në vitin 1992, e cila vrau 29 njerëz dhe një tjetër kundër Shoqatës së Ndërsjellë Izraelite Argjentinase (Amia) në 1994, e cila shkaktoi 85 viktima.

Marrë dhe përshtatur nga “Le Figaro” për Albanian Post