Shqipëria

Akademia e Shkencave: 50% e Tiranës imune ndaj Covid


Akademia e Shkencave ka publikuar një studim, në të cilin ka zbuluar se rreth 50% e qytetarëve të Tiranës kanë fituar imunitet ndaj Covid-19.

Rezultatet e studimit janë paraqitur nga akademiku, Genc Sulçebe, dhe profesori, Alban Ylli. Sipas tyre, 50% e popullsisë së Tiranës ka fituar imunitet ndaj virusit. Ndërkohë përsa i përket shifrave kombëtare, vetëm 25% e popullsisë kanë fituar imunitet.

“Është një lajm i mirë imunizimi në kryeqytet, por nuk ka arsye të festojmë”, bëri me dije Ylli.

Ky studim seroepidemiologjik u shtri përgjatë periudhës qershor-dhjetor. Akademia ka ndërmarrë edhe një fazë të parë studimi për periudhën maj-korrik. Në atë periudhë shifrat ishin shumë të ulëta, me vetëm 6-7% të popullatës që kishte fituar imunitet nga coronavirusi.

Kujtojmë se studimi merr parasysh të dhënat e analizave serologjike që mbledh shërbimi i imunologjisë pranë QSUT-së. Këto testime realizohen nga specialistë të fushës, të cilët më pas bashkëpunojnë me Akademinë për studimin.

Në rezultate është vënë re gjithashtu se shumica e qytetarëve që kanë krijuar antitrupa kanë qenë asimptomatikë gjatë infektimit të tyre me Covid-19./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore