Auto

Airo, një koncept makine për t’u admiruar


Studioja me qendër në Londër, Heatherwick, ka zbuluar konceptin e saj të makinës elektrike, Airo, për IM Motors, e cila do të shërbejë për të pastruar ndotjen teksa vozit.

Dezeen, faqe kushtuar dizajnit, tregon se automjeti i markës kineze të makinave është zbuluar në shfaqjen e quajtur Shanghai Motors dhe rezulton të jetë makina e parë e krijuar nga Heatherwick.

Airo është e pajisur me një sistem të filtrimit të grimcave të ajrit me efikasitet të lartë, HEPA, çka do të thotë se makina do të ketë aftësinë të pastrojë ndotjen në mënyrë aktive.

Kjo do të realizohet përmes mënyrave të ndryshme autonome apo të kontrolluara nga drejtuesi i makinës.

“Airo nuk është thjesht një makinë tjetër elektrike që nuk ndot ajrin”, është shprehur themeluesi i studios, Thomas Heatherwick.

Ai ka thënë se “në vend të kësaj, duke përdorur teknologjinë më të fundit të filtrit HEPA, ajo shkon më tej duke pastruat ndotësit e makinave të tjera teksa ecën së bashku me to”.

Në brendësi të makinës është projektuar një sedilje rrotulluese fleksible, e cila mund të konfigurohet në një “dhomë shumë-funksionale”.

Aty gjendet vend edhe për një tryezë me katër pjesë duke krijuar brenda makinës një hapësirë ngrënieje, por edhe për një ekran me anë të së cilit mund të shihen filma ose të luhen lojëra.

Mundësitë e Airo-s nuk marrin fund me kaq. Brendësia e saj mund të shndërrohet në një dhomë gjumi ku vendet e konturuara tërhiqen plotësisht për të krijuar një krevat dysh. Ekziston edhe mundësia për ta kthyer hapësirën në private përmes teknologjisë së errësimit të tavanit prej xhami.

“E projektuar për të adresuar njëkohësisht mungesën globale të hapësirës, Airo është gjithashtu një dhomë shumë-funksionale me hapësirë shtesë për ngrënie, punë, lojëra, por edhe për të fjetur”, ka vazhduar themeluesi.

“Si një dhomë e re për jetën tonë, me një pamje të ndryshuar, Airo është një makinë që synon të transportojë në një të ardhme më të pastër dhe më të mirë”, ka thënë Heatherwick.

Përpos makinës, studioja ka dizajnuar edhe stacione karikimi. Ato janë të lakuara dhe janë të ndërtuara prej materialit të çelikut së bashku me një tel të tërhequr për karikim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore