Lajme

Airbnb kërkon falje për kabinën e skllevërve me qira në Misisipi


Kompania Airbnb ka kërkuar falje publike pasi lejoi një pronar prone të listonte një “kabinë skllevërish të viteve 1830” me qira në Greenville, Mississippi.

Ka qenë avokati Wynton Yates i pari që përmes një video virale në platformën TikTok e ka kritikuar këtë gjë.

“Historia e skllavërisë në këtë vend mohohet vazhdimisht dhe tani po tallen duke u kthyer në një vend pushimi luksoz. Vend”, ka thënë ai.

Në listë përshkruhej një “kabinë skllevërish e viteve 1830 në jug të Belmont”.

Përshkrimi vazhdonte se “të gjitha dërrasat e gjera janë origjinale të ndërtimit të parë në vitet 1830, ndërsa dërrasat në tualet janë nga një rimodelim i mëvonshëm që përfshin edhe dritare dhe dyer të reja me menteshat e tyre të zbukuruara”.

Por video në TikTok ka mbledhur më shumë se 2.6 milionë shikime.

“Si mund t’i shkojë në mendje dikujt që ta marrë me qiranjë vend ku qeniet njerëzore mbaheshin si skllevër”, ka shtuar Yates.

Sakaq, pas reagimeve, Airbnb ka kërkuar falje dhe ka thënë se “po e hiqte nga lista”.

Një zëdhënës i kompanisë, Ben Breit, ka treguar se “pronat që më parë strehonin të skllavëruarit nuk kanë vend në Airbnb”.

“Kërkojmë ndjesë për çdo traumë apo pikëllim të krijuar nga prania e këtij listimi dhe të tjerëve si ai dhe që nuk kemi vepruar më shpejt për të adresuar këtë çështje”, ka vijuar zëdhënësi.

Sipas tij, kompania po punon me ekspertë për të zhvilluar politika të reja që adresojnë pronat e tjera që lidhen me skllavërinë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore