Sport

Air Albania, ndriçim artificial për barin e fushës


Stadiumi “Air Albania” ka patur probleme të vazhdueshme me fushën e blertë, që nga koha e ndërtimit. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) tashmë ka ndërmarrë një tjetër hap, për përmirësimin e kushteve të fushës. Bëhet fjalë për marrjen e një sistemi ndriçimi me llamba të posaçme për fushat e futbollit, që ndikojnë në përmirësimin kushteve të tapetit të barit.

Administratori i stadiumit, Klejdi Tomori ka pohuar për mediat, se po punohet në mënyrë që fusha të jetë gati për eleminatoret e Katar 2022. Ndeshja e parë për këto eleminatore është në muajin mars, përballë Anglisë.

“Sistemi i ndriçimit me llamba të posaçme për fushën kanë mbërritur. Janë prodhim i një prej kompanive holandeze lider të kësaj fushe në botë, që kanë sistemet e tyre në shumë stadiume të Europës, si në Itali, Gjermani, Francë, Holandë, etj. Pra, është i njëjti sistem që përdoret në të gjithë stadiumet më të mira të Europës”.

“Mendoj që fusha do të jetë në gjendje mjaft të mirë, nuk mund të them në gjendje optimale, sepse koha është shumë e shkurtër në dispozicion para ndeshjes së marsit. Fusha do të kthehet në një gjendje të mirë sidomos në pjesën jugore të stadiumit, ku bie hija dhe llambat shërbejnë pikërisht për të rritur rrënjët e barit, pra për të krijuar një fushë më stabël edhe në atë pjesë”.

“Ne kemi iniciuar një sërë procesesh që kanë të bëjnë me shkriftimin e fushës, procesi i ‘verti drain’, ajrimi i fushës dhe më pas do të bëhet një mbjellje e fushës për të proceduar me vendosjen e llambave, që do të stimulojnë akoma më tepër rritjen e barit”.

“Ky është një plan imediat për ndeshjen me Anglinë dhe në përfundim të ndeshjes me Anglinë do të vijë një tapet hibrid, që përdoret gjerësisht në stadiumet e mbyllura në Europë dhe më gjerë. Me vendosjen e tapetit të ri pastaj ne pretendojmë që këtu të luhen një numër akoma më i madh ndeshjesh, deri në dy ndeshje në javë pa u dëmtuar fusha”, tha Tomori në deklaratën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore