Shqipëria

Ahmetaj prezanton programin e manifakturës


Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, gjatë ditës së shtunë ka vizituar dy sipërmarrje fasonerie në njësinë numër katër.

Gjatë vizitës në këto qendra, Ahmetaj prezantoi dhe programin e parashikuar nga qeveria në favor të manifakturës.

“Është vendosur edhe një instrument garancie prej 50 milionë eurosh, ku qeveria nga buxheti i shtetit, do të marrë përsipër kostot e interesit dhe do të garantojë kompani, sipërmarrje që të mund të financohen nga bankat”.

Dy sipërmarrjet janë prekur nga pandemia, pasi i gjeti të papërgatitura, dhe tani synojnë që të rriten në treg. Gjatë kësaj kohe, këto biznese kanë marrë pagën e luftës.

Ahmetaj bëri me dije që programi i hartuar nga ekspertët e fushës ka në thelb rritjen e tyre dhe ofrimin e instrumenteve që t’i ndihmojnë.

“Instrumenti i garancisë, amortizimi i përshpejtuar, ku për tre vite do të bëhet i mundur tatim fitimi zero dhe gjithë kostot e trajnimit të specialistëve për të bërë të mundur gjithë ciklin e plotë në funksion të eksportit”.

Ahmetaj nuk la pa përmendur dhe pjesën e pagave.

“Një gjë që dua t’iu them, është që të gjithë punonjësit, të cilët e kanë pagën deri në 400 mijë lekë të vjetër, do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale. Pra do të ngrihet pragu nga 300 në 400 mijë lekë të vjetër në muaj. 65% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë do ta kenë tatimin mbi të ardhurat personale zero”.

“Pagave deri në 2 milionë lekë të vjetër në muaj, iu ulet tatimi në mënyrë serioze. Ka qenë 23% nominale, zbret nën 13%”, e mbylli Ahmetaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore