Shqipëria

“Agroturizmi, kontribues serioz i rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri”


Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural në Shqipëri, Frida Krifca, gjatë një takimi mbi turizmin rural, e cilësoi sektorin si kontribuues serioz të rritjes ekonomike dhe punësimit.

Të enjten e 28 prillit, në diskutimin e hapur mbi modelin e zhvillimit të agroturizmit në vendin tonë për vitet e ardhshme morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), politikëbërës, Shoqata e Agroturizmit dhe sipërmarrjet agroturistike.

Në mbledhje u dëgjuan kërkesat dhe u bënë përpjekje për të gjetur zgjidhjet, me qëllim rritjen e aktivitetit ekonomik në zonat rurale ku operojnë këto njësi.

Sakaq, ministrja Krifca, në fjalën e saj, inkurajoi sipërmarrjet që të punojnë më ngushtë me politikbërësit për të ndërtuar ligje dhe politika, sipas të cilave, të shfrytëzohet maksimalisht ky sektor në Shqipëri.

“Në aspektin politik të nevojshëm për të mbështetur rritjen e paevitueshme tashmë të këtij sektori, i cili po na tërheq gjithnjë e më shumë, e tërheq me vete rininë, e cila i bashkohet sektorit të bujqësisë dhe që ndikon një zinxhir të madh ekonomik në zonat më të thella rurale është bërë një domosdoshmëri”.

Krifca theksoi se, në aspektin e bazës ligjore rregullative, janë bërë shumë hapa përpara dhe me strategjinë 10-vjeçare, Shqipëria mund ta konsolidojë këtë sektor.

Drejtori i programit Srd të GIZ, Mattia Wegmann, tha se “agroturizmi është një treg në zhvillim. Është e rëndësishme për ne të bëjmë sa më funksional ndikimin që do të ketë agroturizmi në popullsinë rurale dhe zhvillimin ekonomik që do të sjellë për të gjithë vendin”.

Sipas ministrisë, njësitë e agroturizmit, viteve të fundit janë kthyer në pole ekonomike për zonat ku operojnë, duke ofruar jo vetëm shërbim cilësor për vizitorët, por mbi të gjitha duke rigjallëruar dhe vlerësuar produktet e fermerëve të zonave rurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore