Sport

Agnelli për Superligën: Ekziston një pakt dhe ne do të vazhdojmë përpara


Presidenti i Juventus-it, Andrea Agnelli, ka folur për La Reppublica ku ka thënë se projekti i Superligës Europiane “ka probabilitet njëqind për qind të suksesit” dhe mbështet “dialogun e hapur me institucionet e FIFA dhe UEFA”.

Agnelli nuk dorëzohet. Presidenti i Juventus-it ka ritheksuar, në një intervistë për gazetën La Reppublica qëllimin e tij për të vazhduar me projektin e Superligës së Europës, pavarësisht vështirësive që ata kanë hasur në orët e fundit, veçanërisht pas largimit të gjashtë klubeve angelze.

“Ka një pakt gjaku dhe ne vazhdojmë përpara. Ka njëqind për qind mundësi për sukses. Ne mbajmë një dialog të hapur me institucionet e FIFA dhe UEFA”, tha Agnelli.

“Ajo që ne po bëjmë është krejtësisht e ligjshme. Ne jemi duke ushtruar një liri të parashikuar në Traktatin e BE-së”.

“Kjo është për shkak se ka pesë vende dhe Superliga adreson problemin më të madh në këtë industri, që është mungesa e stabilitetit. Tashmë është koha për të vepruar”.

Presidenti i Juventus-it foli edhe për UEFA dhe rreth klubeve që nuk pranuan të jenë pjesë e saj që në fillim.

“Ajo (UEFA) menaxhon të drejtat tona, i shet ato, vendos sa do të na rishpërndajë dhe gjithashtu na rregullon. Pa u përballur me rreziqe ekonomike dhe gjithashtu është rivali ynë”.

“FIFA dhe UEFA marrin të ardhura të mëdha nga lojtarët tanë, por ata nuk na kanë ndihmuar në mes të krizës. Ata duhet të zgjedhin: ose janë rregullatorë ose nxitës komercialë”.

“Në Gjermani, Bayern-i ka tetë radhazi (kampionate), në Francë ka hegjemoni, në Spanjë një duopol dhe në Itali, në njëqind vjet, 80 kampionate janë fituar nga Juventus-i, Milan-i dhe Inter-i. Kështu që ambicia e ekipeve të vogla është legjitime, por ne kemi një statistikë njëqind-vjeçare”.

Në fund të intervistës, Agnelli foli edhe për reagimin e lojtarëve të Juventus-it duke thënë se “ata më pyetën kur fillon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore