Lajme

AGK-ja e fton Presidenten Osmani të distancohet nga gjuha linçuese e Blerim Velës


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe këshilltari i saj Blerim Vela.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj gjuhës së shefit të stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela ndaj mediave.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me shqetësim sulmet e vazhdueshme ndaj mediave që vijnë zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Këshilltari i saj, Blerim Vela disa herë ka përdorur gjuhë dengiruese duke i etiketuar mediat si “të ish-regjimit Pronto”, ka shkruar AGK në Facebook.

AGK ka thënë se Vela po përdorë gjuhë linçuese për përhapjen e urrejtjes dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

“AGK konsideron se kjo gjuhë është linçuese dhe që shërben për përhapjen e urrejtës dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë”.

Përveç këtyre, AGK-ja ka ftuar presidenten Osmani të distancohet nga gjuha linçuese e Velës.

“Duke ardhur nga zyra më e lartë e shtetit, këto veprime të zotit Vela ndikojnë në frikësimin e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të pasigurte për punën e tyre. AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të distancohet dhe të përkujdeset që sulme të tilla të mos përsëriten nga zyra e saj”.

Shefi i stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela, përmes një postimi në Twitter, të shtunën ka dhënë sqarim për ftesën e presidentes Osmani me partitë politike, duke i quajtur mediat “të ish-regjimit Pronto”.

“Për mediat e ish-regjimit Pronto: Ftesa e Presidentes drejtuar partive për takim konsultativ s’paraqet vendim për shtyerje të zgjedhjeve. Andaj, mos përhapni të pavërteta”, ka shkruar Vela.

Takimi mes presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe partive politike do të mbahet të hënën, nga ora 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore