AGK-ja dënon ashpër deklaratat e fundit të Kurtit ndaj mediave: Po sulmon pa asnjë fakt e argument

Asociaiconi i Gazetarëve të Kosovës e sheh me "shumë shqetësim" një përpjekje të tillë të papranueshme të Albin Kurtit "për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument"
SHFLETO

Ilustrim

 

Dreni Himbeqa
27.09.2024 21:59
Loading Icons...

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të premten, ka dënuar “ashpër sulmin e fundit ndaj mediave” të bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

AGK-ja, sipas kësaj komunikate, e ka parë me “shumë shqetësim” një përpjekje të tillë “të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument”.

“Në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari”, thuhet në komunikatë.

Problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon kryeministri Kurti, sipas AGK-së “nuk bëhet në asnjë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave”.

Kurti, në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ka akuzuar partitë opozitare se po financojnë media të ndryshme me paratë e pista.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista”, ka thënë Kurti.

Në vlerësimin e tij partitë opozitare – të cilët kanë qenë në pushtet njëherë e një kohë – po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, prandaj po synojnë “të frikësojnë edhe të tjerët”, duke shpërndarë para “tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”.

“Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘me i ndjekë paratë’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e ilegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, ka shtuar ai.