Lajme

Agjencia Kundër Korrupsionit nis verifikimin e pasurisë të ambasadorit Martin Berishaj


Ambasadori Martin Berishaj dhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

Të martën e 26 prillit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar procedurat për verifikim e pasurisë së ambasadorit, Martin Berishaj.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtor i AKK-së, Yll Buleshkaj.

“Po, pasi që kemi pranuar informatat nga mediat të premten, AKK sot ka iniciuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z.Berishaj”, deklaroi Buleshkaj për AP.

Për çfarë po akuzohet Berishaj?

Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku para të dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin tek një kompani tjetër malazeze, i dërgoheshin një politikani slloven dhe përfundonin në disa fonde italiane ku investitorët e kanë të mundur të mbesin anonimë.

Zbulimi i këtij skandali ka çuar në hetimin e politikanit slloven, kandidatit për kryeministër, Robert Golob, për shkak të dërgesave të parave nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat fillimisht shkonin në një kompani private të konsulencës, me alibinë se janë pagesa për këshillime.

Bëhet fjalë për kompaninë malaziase MB Consulting, pronar dhe punëtor i vetëm i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Shuma e zbuluar është rreth 600 mijë euro pagesa që serbët ia bënin kompanisë së Berishajt.

Berishaj më pas i tërhiqte ato para nga xhirollogaria e kompanisë së tij fiktive dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.

Robert Golob

Më pas ai i investonte në disa fonde që thuhet se janë italiane dhe janë të qasshme nga përdorues anonimë.

Berishaj ishte pyetur nga organet e Malit të Zi, por ai e kishte arsyetuar shumën e parave në kontot e kompanisë me një kredi që thoshte ta ketë marrë.

Tërheqjen e parave Berishaj e kishte bërë nga dy xhirollogari, zbulojnë mediat sllovene.

“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.

Akoma nuk dihet se cili ishte denstinacioni final i parave, por pritet të kuptohet më shumë në ditët në vijim.

Sipas raportit të parë, ende nuk është zbuluar gjithçka dhe ka akoma dokumente të tjera që do të shpalosën.

Martin Berishaj

Martin Berishaj është shqiptar i Malit të Zi. Ai ka tash e katër muaj që është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci.

“Sot, në cilësinë e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, e dorëzova kopjen e letrave kredenciale te udhëheqësja e Protokollit Diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, znj. Emilija Vučinić – Margeta”, pati shkruar Berishaj.

Ai në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur subjektet që janë tash në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Guxo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore