Muzikë

Agimi po vjen


Pas orëve të vona të natës, vjen agimi!

Rreth një muaj më parë, artisti kanadez i zhanrit R&B me famë botërore, The Weeknd, do t’i linte dashamirësve të tij të kuptonin se një album i ri do të ishte pas qoshes.

Sot, në mënyrë krejt të papritur, Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, ka postuar në median sociale Instagram një hyrje të asaj që duket si një këngë e albumit, shoqëruar me videoklip.

Fansat e kanadezit e kanë thyer menjëherë rrjetin me komente në postimin e artistit.

Nën ritme më agresive elektronike – të pazakonta për një The Weeknd të para dy viteve – ai duket se do të ridimensionojë sërish zhanrin e tij, duke e sjellë veten ndryshe.

Pandemia ka qenë ndër pjesët më të suksesshme të karrierës së Tesfaye. Me albumin e tij “After Hours”, ai fitoi thuajse gjithçka – duke lënë Grammy-t mënjanë.

“After Hours” ishte albumi më i titulluar i mijëvjeçarit të ri nga një artist mashkull. Po ashtu, një ndër më të titulluarit në histori, duke iu afruar sukseseve të Michael Jackson.

Tashmë me një imazh të rigjeneruar në mendje, The Weeknd do të shfaqet ndryshe për dëgjuesit.

Detaje nga albumi ende nuk janë bërë të ditura. Ai ka lënë të nënkuptohet se mund të quhet “The Dawn” (Agimi), në një kronologji me albumin “After Hours” (Orët e pas-mesnatës). Mirëpo, titull zyrtar, ende nuk ka.

Ndërsa, suksesi, me gjithë këtë pritje të akumuluar, duket sërish i garantuar për kanadezin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore