Sport

Agim Ademi për Albanian Post: Nuk komentoj shantazhe, flas pas Kuvendit


Agim Ademi

Agim Ademi e ka cilësuar si “shantazh” një dokument nga komisioni për licencimin e federatave sportive pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që kërkonte dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në dokumentin e siguruar nga Albanian Post  MKRS kërkonte nga Ademi të japë dorëheqje nga pozita e të parit të FFK-së, pasi që qëndron një aktakuzë ndaj tij, e që sipas kodit etik të FIFA-s, kjo nuk lejohet.

Ademi, në një prononcim të shkurtër për AP tha se nuk do t’i komentojë shumë këto zhvillime deri sa të kryhet Kuvendi në FFK, por nuk hezitojë ta quajë shantazh kërkesën e MKRS-së.

“Pas Kuvendit flasim krejt. Në Kuvend do ta sqaroj, sepse nuk i komentoj këto far shantazhe”, deklaroi ai.

Ai madje ka deklaruar se as nuk e ka pranuar letrën zyrtarisht fare.

“Nuk më ka ardhur letër as kurrgjë, pas Kuvendit flasim”, ka përsëritur.

“Nuk e kam ndërmend me fol për këto sene deri të kryhet Kuvendi. Pasi të kryhet Kuvendi dal unë me qëndrime”.

Kuvendi i jashtëzakonshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës do të mbahet më 27 janar (e premte).

Njëra ndër pikat kryesore të rendit të ditës në këtë kuvend, pritet të jetë ndryshimi i Draft-Statutit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Për këtë kuvend, shumica e klubeve të futbollit nga Kosova e kanë përkrahur Ademin, derisa dy prej tyre, Drita dhe Trepça’89 kanë dalë kundër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore