Sport

Agim Ademi mohon përleshjen në FFK


Gjatë ditës së sotme u raportua për një përleshje fizike në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku kryetari Agim Ademi kinse ka sulmuar zyrtarin për  marrëdhënie me jashtë të FFK-së, Artan Govorin.

Por, i pari i FFK-së ka mohuar këtë ngjarje, i cili ka postuar një shkrim në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ademi ka thënë se ky lajm është i pavërtetë dhe një vazhdim i shantazhit nga “ata që kanë qëllim ta dëmtojnë imazhin e tij dhe të FFK-së”.

“Kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK”, shkruan Ademi.

“Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës”.

“Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit” shkruan mes tjerash i pari i FFK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore