Kosova

Ag Apolloni: E kuptoj Qosjen pa Akademinë, s’e kuptoj Akademinë pa Qosjen


Shkrimtari dhe profesori i letërsisë, Ag Apolloni

Shkrimtari dhe profesori i letërsisë, Ag Apolloni, ka qenë i ashpër me kritika ndaj institucioneve të Kosovës, që në 85 vjetorin e shkrimtarit Rexhep Qosja, nuk bënë asnjë aktivitet për ta nderuar.

Apolloni, përmes një shkrimi të gjatë, godet paradoksin që megjithëse sipas tij Qosja “është akademiku më i njohur” i saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës s’ka organizuar asgjë për të.

Sipas tij, edhe qëndrimet e Qosjes karshi ASHAK-ut janë plotësisht të bazuara, ngaqë njerëz brenda akademisë e kanë sulmuar dhe kanë gënjyer në mënyrat më të ulëta ndaj tij.

“Viteve të fundit shpesh kam dëgjuar se Rexhep Qosja nuk e meriton rrogën nga Akademia, sepse nuk shkon aty prej vitesh. Është e vërtetë që ai nuk shkon aty, dhe dihet pse”.

“Akademia është e mbushur me njerëz të partisë që vazhdojnë ta sulmojnë në mënyrat më të ulëta për dekada me radhë. Ata kanë aktivizuar gazeta, revista, televizione, portale kundër tij. Kanë shkruar libra kundër tij. Kanë shpifur në mënyrat më të ulëta kundër tij”, ka shkruar ai.

Sipas shkrimtarit, Akademia është kthyer në çerdhe politike të servilëve, ku ka plot njerëz që s’e meritojnë të jenë dhe edhe më shumë të tillë që mungojnë edhe pse duhet të jenë aty.

“Në Rusinë e Putinit, kur disa intelektualë të kabinetit të tij kanë dashur të bëhen akademikë, ai i ka thirrur dhe u ka thënë: “ja do të jeni pjesë e Kabinetit, ja e Akademisë, në të dyja s’mund të jeni.” Mirëpo, në Kosovë mund të jesh në të dyja e në të trija, veç bëhu servil”.

“Është duke ndodhur si në Akademinë e Athinës në shekullin e kaluar, kur artistët, shkrimtarët dhe intelektualët më të njohur nuk ishin pjesë e saj”.

Apolloni thotë se “Qosja nuk shkon në Akademi, sepse ai është Akademi”, duke vazhduar ta përdor edhe ironin në lidhje me gjendjen aktuale të ASHAK-ut.

“E kuptoj Qosjen pa Akademinë, s’e kuptoj Akademinë pa Qosjen”, ka shkruar, ndër të tjera shkrimtari.

Në përvjetorin e lindjes së Rexhep Qosjes, vetëm një nga kolegjet private në Kosovë u kujtua që ta nderojë kolosin e studimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore