Bota

Afrika e Jugut ndalon furnizimet me AstraZeneca


Afrika e Jugut ka pezulluar furnizimet me vaksinën AstraZeneca tё Oxford-it, pas studimit qё  tregoi rezultate “zhgënjyese” kundër variantit tё saj tё ri tё Covid 19.

Shkencëtarët thonë se lloji përbën 90% të rasteve të reja nё vend.

Afrika e Jugut kishte siguruar 1 milionё doza të AstraZeneca dhe do të fillonte vaksinimin  javën e ardhshme.

Ndërkohë, qeveria lajmёroi se do të ofrojë vaksina të prodhuara nga Johnson & Johnson dhe Pfizer në javët e ardhshme.

Pak ditë më parë, Mbretëria e Bashkuar raportoi rezultatet paraprake të një studimi i cili përfshiu rreth 2 mijë njerëz.

Studimi tregoi se vaksina AstraZeneca, e Oxford-it nuk dha mbrojtje kundër simptomave të lehta të shkaktuara nga varianti i ri i Afrikës së Jugut.

Megjithatë, kompania tha se vaksina krijoi antitrupa neutralizues të ngjashëm me ato të vaksinave të tjera të coronavirusit dhe mund të jetë efektive në rastet më të rënda të sëmundjes.

Rezultatet e plota të studimit pritet të publikohen gjatë ditës së sotme, sipas njoftimeve të kompanisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore