Lajme

Afganistan/ Talebanët shpërbëjnë komisionin e të drejtave të njeriut si “të panevojshëm”


Në Afganistan, autoritetet talebane kanë shpërndarë pesë departamente kyçe të ish-qeverisë së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në to përfshihet edhe komisioni vendor i të drejtave të njeriut.

Referuar një zyrtari, ato departamente janë konsideruar të panevojshme përballë krizës financiare.

Këtë vit financiar, Afganistani u përball me një deficit buxhetor prej 501 milionë dollarësh sipas autoriteteve talebane teksa shpallën buxhetin e tyre të parë kombëtar vjetor që nga marrja e pushtetit gushtin e kaluar.

“Për shkak se këto departamente nuk janë konsideruar të nevojshme dhe nuk janë përfshirë në buxhet, ato janë shpërbërë”, ka thënë Innamullah Samangani, zëdhënës i qeverisë talebane.

Gjithashtu është shpërbërë këshilli i lartë për pajtimin kombëtar (HCNR), këshilli i sigurisë kombëtare dikur me fuqi të lartë dhe komisioni për mbikëqyrjen e zbatimit të kushtetutës afgane.

Për herë të fundit, HCNR-ja u kryesua nga ish-presidenti afgan Abdullah Abdullah dhe po punonte për të negociuar paqen midis qeverisë së ish-presidentit Ashraf Ghani të mbështetur nga SHBA-të dhe talebanëve të atëhershëm kryengritës.

20 vjet pas pushtimit të Afganistanit, në gusht 2021, forcat e huaja u tërhoqën duke çuar në rënien e qeverisë dhe pushtim të talebanëve.

Sipas Samangani, buxheti kombëtar ishte “i bazuar në fakte objektive” dhe ishte menduar vetëm për departamentet që kishin qenë aktive dhe produktive.

Ai ka shtuar se trupat mund të riaktivizohen në të ardhmen “nëse nevojitet”.

Talebanët, pas marrjes së pushtetit në vitin 2021, e siguruan botën se do të ishin më të moderuar.

Megjithatë, ata ende nuk i lejojnë vajzat më të mëdha të rifillojnë arsimin dhe kanë futur rregulla që detyrojnë gratë dhe vajzat të mbajnë mbulesë.

Po ashtu u kërkojnë atyre që të kenë të afërm meshkuj që t’i shoqërojnë në vende publike.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore