Lajme

Afganistan: Parqet bëhen zona të ndaluara për gratë në Kabul


Grave u është mohuar e drejta të vizitojnë parqet në Kabul nga Qeveria talibane në pushtet.

Në një kohë kur lajmet janë kaq të zymta, lojërat dhe gëzimi i fëmijëve duket sikur kanë mbetur e vetmja rreze shprese për Afganistanin.

Por nënave tani u mohohet e drejta për të ndarë kujtimet që fëmijët këtu po krijojnë.

Gratë u ndaluan gjithashtu kohët e fundit të vizitojnë pishinat dhe palestrat në kryeqytet.

Pritet që këto rregulla të shtrihen në të gjithë vendin.

Ndërsa talebanët kufizojnë më tej atë që mund të bëjnë, gratë dhe vajzat afgane kanë frikë se çfarë mund të vijë më pas.

Disa thonë se këto lëvizje nuk prekin pjesën më të madhe të vendit, sepse për shumicën e njerëzve tani, një mbrëmje jashtë është një luks që ata nuk mund ta përballojnë.

“Çdo ditë, si vajza në Afganistan, ne zgjohemi me kufizime të reja. Është sikur jemi ulur dhe presim për kufizimin tjetër”, thotë një studente.

“Isha me fat që mbarova shkollën e mesme para se të vinin talebanët. Por tani kam frikë se universitetet mund të mbyllen edhe për gratë”.

Ajo kohët e fundit mori provimin pranues në universitet dhe u zhgënjye kur zbuloi se dega që donte të studionte – gazetaria – nuk ishte më e disponueshme për gratë, pjesë e një grupi tjetër kufizimesh që talebanët vendosën së fundi.

“Nuk mund ta përshkruaj sa e vështirë është. Ndonjëherë të vjen të bërtasësh me zë të lartë”, thotë studentja, ku shihet zhgënjimi i dukshëm në zërin e saj. “Ndihem e pashpresë”.

Me zvogëlimin e hapësirave për gratë në Afganistan, disa po përpiqen të gjejnë mënyra për të kundërshtuar shtypjen e talebanëve.

Aktivistja Laila Basim, ka bashkëthemeluar një bibliotekë për gratë ku ka mijëra libra në gjuhë të ndryshme për tema të ndryshme.

“Me këtë ne duam t’u tregojmë talebanëve se gratë afgane nuk do të qëndrojnë të heshtura dhe qëllimi ynë i dytë është të zgjerojmë kulturën e leximit të librave tek gratë, veçanërisht ato vajza që janë të privuara nga arsimi”, thotë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore