Lajme

Afganet artiste që pikturuan për liri


Negina Azimi u përfshi nga frika kur mësoi se talebanët kishin hyrë në Kabul më 15 gusht.

“Dëgjuam raportime se talebanët mund të bastisnin shtëpitë. Isha e frikësuar sepse jetoj në një lagje shumë qendrore dhe çdo dhomë në shtëpinë time është e stolisur me atë lloj arti që talebanët nuk do ta miratojnë”, ka treguar artistja.

Me këtë, ajo i referohet pikturave që pasqyrojnë mesazhe për fuqizimin e grave dhe janë kritike ndaj talebanëve, shkruan e përditshmja “The Guardian”.

Kështu, Azimi nxitoi të hiqte të gjitha punët e saj nga studioja në shtëpinë e vet, duke i fshehur me kujdes pikturat në vendet ku shpresonte se nuk mund të gjendeshin.

“Por shumë nga puna jonë është jashtë në muret e qytetit dhe të gjithë na njohin”, ka treguar ajo, duke iu referuar nismës së studios ArtLords për të pikturuar murale në muret e trasha të betonit kundër shpërthimit të luftës.

“Dëgjuam se talebanët pyetën për ne te dyqanxhinjtë dhe kërkuan adresat tona. Ata donin të na ndëshkonin”, ka thënë artistja.

Azimi ishte një nga artistët që ikën dhe lanë pas vite të tëra punë të palodhur dhe përpjekje për të ringjallur skenën e artit afgan.

Nga mërgimi në kampet e refugjatëve në Evropë, ata kanë parë online teksa talebanët fshinin muralet e tyre, një pas një.

“Nuk mund të shpreh sa e lënduar u ndjeva kur pashë në mediat sociale se talebanët kishin zbardhur muralin e orkestrës së grave afgane; ishte pjesa ime e parë me ArtLords-in”, ka veçuar ajo.

“Pjesa më e madhe e artit tonë kishte të bënte me luftën 20-vjeçare për gratë afgane, për drejtësinë dhe lirinë e fjalës. Kishim zgjedhur të portretizonim heronjtë afganë për të frymëzuar gjeneratën e ardhshme, të cilën talebanët e fshinë”, ka rrëfyer një tjetër artist afgan në mërgim.

Edhe Shamsia Hassani, e cila është artiste grafite afgane dhe profesoreshë arti në Universitetin e Kabul-it, u shpëtoi talebanëve.

“Vendi im dhe arti im më dhanë identitet. Ditën kur ra Kabul-i, nuk mund ta besoja, zemra ime ishte në zjarr”, është shprehur profesoresha.

Si shumë afganë të brezit të vet, Hassani u rrit si refugjate në Iran për shkak të dekadave të luftës dhe ishte kthyer në Kabul pas rënies së talebanëve në vitin 2001.

“Arti po zhvillohej. Numri i artistëve dhe artdashësve po rritej. Sigurisht, kishte akoma shumë që e kundërshtuan artin, por ai ishte i disponueshëm për të gjithë dhe kishim lirinë për të qenë artiste”, ka treguar ajo.

Dhe se “kishim mbjellë një farë dhe po e shikonim atë teksa rritej”.

Stili i veçantë i grafiteve të Hassani-t, shkruan “The Guardian”, u shfaq në shumë mure në kryeqytetin afgan, si një simbol i ndryshimit shoqëror, fuqizimit dhe paqes.

Edhe për të, pjesa më e madhe e krijimtarisë është fshirë.

“Dikur besoja se arti është më i fortë se lufta, por tani e kuptoj se lufta është më e fortë dhe gjithçka që kemi ndërtuar për 20 vjet mund të shkatërrohet brenda pak minutash”, ka thënë artistja.

Lida Afganistan është një artiste afgano-holandeze, e cila ka punuar gjerësisht në Afganistan.

“Kur mendoj për Afganistanin ndihem shumë e mbingarkuar dhe kohët e fundit, e gjej veten duke qarë. I vetmi ngushëllim që marr është përmes pikturës, e cila është gjithashtu mënyra ime e komunikimit me gratë në vend për t’ju thënë se nuk jeni vetëm”, ka dalluar ajo.

Artistja ka rrëfyer se “kur vizatoj gra, përpiqem të tregoj sa të fuqishme janë ato sepse shpesh gratë afgane shihen si viktima dhe të dobëta…kam parë gra nga të gjitha pjesët e Afganistanit dhe ato vazhdimisht luftojnë kundër patriarkatit”.

Për të “arti është lëvizje, gjuhë universale që mund t’u flasë shpirtrave të njerëzve. Dhe me të, përpiqem t’u them grave afgane që të mos heqin dorë”.

“The Guardian” shkruan se artistët që kanë ikur nga Afganistani nuk janë ndalur, ata kanë krijuar vepra të reja, madje edhe në kampet e refugjatëve.

Kolektivi i studios ArtLords vazhdon të krijojë pjesë të reja në mërgim dhe shpreson së shpejti të vendosë një ekspozitë të veprave të artistëve të zhvendosur.

“Talebanët mund të zbardhin gjithë punën tonë në Kabul, por ne do të kemi gjithmonë bojën dhe penelin tonë. Do të luftojmë me këtë”, ka siguruar një nga artistët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore