Lajme

Afati i konkursit për policët në Veri shtyhet për 10 ditë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka vazhduar edhe për 10 ditë afatin për pranimin e aplikacioneve për ata që i plotësojnë kriteret për t’iu bashkuar këtij institucioni.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një komunikate për media.

“Afati për paraqitjen e aplikacioneve vazhdohet për dhjetë (10) ditë duke filluar nga data 27.01.2023 deri me datë 10.02.2023”, thuhet nga Policia.

Tutje, është sqaruar se kriteret në konkurs mbeten të njëjta si dhe kandidatët të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs, nuk është e nevojshme të aplikojnë përsëri.

Më 4 janar, Policia e Kosovës, me qëllim të plotësimit të numrit të pjesëtarëve policorë në Mitrovicën e Veriut, ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit për të gjitha minoritetet në Kosovë.

Policët në Veri gjatë dorëheqjes.

Serbët më 5 nëntor dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës, si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targa.

Që nga ajo kohë pozitat e tyre janë vakante.

Prandaj Policia e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, përmes këtij konkursi, do të tentojë ta mbushë këtë boshllëk.

Kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet të jenë nga komuniteti jo-shumicë, jo domosdoshmërisht nga pakica serbe, si dhe të mos jenë më të vjetër se 30 vjet.

Aplikimi në fjalë do të jetë i hapur nga 5 janari deri më 26 janar të këtij viti.

Në këtë shpallje, megjithatë nuk është cekur numri i vendeve të lira të punës, gjegjësisht numrin i cili do plotësonte vendet boshe në Policinë e Kosovës në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore