Lajme

Afatet e Marrëveshjes për Energjinë nuk po respektohen, por Kusari-Lila flet sikur gjithçka është në rregull


Mimoza Kusari - Lila

Dy pikat e para të pajtimit të arritur në Bruksel për Udhërrëfyesin për implementimin e Marrëveshjes për Energjinë tashmë nuk janë respektuar nga Elektrosever, kompania serbe e energjisë, por askush nga qeveria e Kosovës nuk flet rreth kësaj çështje.

Madje, kryenegociatori, Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për implementimin në terren të pajtimeve të arritura në Bruksel me Serbinë, nuk ka komentuar akoma faktin që Elektrosever as nuk ia ka dorëzuar KOSTT-it e KEDS-it të dhënat për konsumatorët në Veri dhe as nuk i ka nënshkruar marrëveshjet e parapara.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e pyetur për udhërrëfyesin, ajo ka zgjedhur vetëm të flas për benefitin e marrëveshjes, duke anashkaluar mos-zbatimin e saj në terren.

“Udhërrëfyesi për marrëveshjen për energjinë është e rëndësisë e cila sanon dëmin e mëtutjeshëm i cili i është bërë buxhetit të Kosovës dhe natyrisht edhe ligjshmërisë në Kosovë, sepse nuk ka pasur faturim për këto 23 vjet të energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit”, thotë ajo.

“Prandaj kthimi i normaliteti është një arritje tepër e madhe pas periudhës së çlirimit të Kosovës dhe shpresojmë që edhe zbatimi i saj të shkojë pa probleme të përcjellë të cilat zakonisht mund të dalin ose të provokohen nga ana e Serbisë”.

“Por jam e bindur se me zbatimin e suksesshëm të kësaj marrëveshje ne hyjmë në një etapë të re në të cilën funksionimi shtetit ligjor dhe natyrisht autoriteti të institucioneve bëhet pa dallim në gjithë territorin e Kosovës”, tha Kusari-Lila.Kusari-Lila.

Çfarë ka ndodhur?

Ka shumë gjasë që “ndryshimi i qëndrimeve për shkak të rrethanave të reja” dhe “pranimi i një marrëveshje të keqe në Bruksel me qëllim të përmirësimit të gjendje aktuale me energjinë” është një sakrificë e bërë kot nga Albin Kurti (kryeministër i Kosovës) dhe Besnik Bislimi (zëvendës/kryeministër).

Foto nga Albanian Post: Bislimi dhe Kurti, ne sfond flamuri i kompanise Elektrosever

Pajtimi i arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë me 21 qershor në Bruksel ka mbetur – si gjithmonë – vetëm në letër.

Afatet që parashihen në udhërrëfyes për implementim nuk po respektohen – duke filluar nga i pari.

Në pikën dy të udhërrëfyesit thuhet se “brenda shtatë ditësh të pajisjes me licencë, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme të konsumatorëve në Veri, përmes Bashkimit Evropian”.

Jo shtatë, por kanë kaluar 13 ditë nga marrja e licencës së Elektroseverit nga ZRrE-ja dhe kompania serbe nuk ka dorëzuar, ashtu siç parashihet me marrëveshje, të dhënat për konsumatorë.

Të pyetur nga Albanian Post nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë kanë treguar se nuk është respektuar ajo që është akorduar në marrëveshje.

“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Por, jo vetëm ky afat dhe jo vetëm kjo pikë.

Një dyzinë marrëveshjes që pritej të nënshkruheshin në mes të Elektroseverit, KOSTT-it dhe KEDS-it nuk janë nënshkruar po ashtu.

Sipas pikës tre të marrëveshjes, “brenda 10 ditësh të pajisjes me licencë, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjen e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in në mënyrë që të operojë në tregun energjetik të Kosovës”.

“Gjithashtu, nënshkrimin për strukturën e marrëveshjes për pranimin e rregullave të tregut të elektricitetit me KOSTT-in”.

Kjo pikë detyron edhe që brenda 10 ditësh të nënshkruhet “Marrëveshja e ndërlidhjes me KEDS-in, dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për të mundësuar shërbimin e distribuimit (faturimin, ,mbledhjen, mirëmbajtjen fizike të lidhjeve të konsumatorëve të rinj), në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të marrëveshjes së 2013-së”.

Asnjë nga këto marrëveshje nuk është nënshkruar përkundër se ka kaluar afati i pajtuar në Bruksel.

“Marrëveshjet në fjalë janë nënshkruar nga ana e KOSTT në përputhje, format dhe standarde te këtyre marrëveshjeve te aprovuara nga ZRRE dhe janë dërguar për nënshkrim tek Elektrosever në afatin e paraparë sipas Udhëzuesit, por ende nuk i kemi pranuar versionet e njëjta të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi ne pritje te konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, tregojnë nga KOSTT-i për Albanian Post.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” – kompania serbe që pritet të futet në Kosovë

Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë e regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore