Shqipëria

Aeroporti i Vlorës do të krahasohet me “të mëdhenjtë”, thotë Pacolli


Sipërmarrësi shqiptar, Behgjet Pacolli, deklaroi se “Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës” do të krahasohet me aeroportet më të mëdhenj në botë.

Madje, Pacolli garantoi se i njëjti standard po aplikohet në aeroportin e New York-ut.

Ai gjendej në shoqërinë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të bërë inspektimet e punimeve – pesë muaj pas fillimit të tyre.

Aeroporti i Vlorës do të klasifikohet në kategorinë IV, sqaroi më tej Pacolli.

Aeroportet e klasit IV janë ato aeroporte që shërbejnë vetëm për operacione të paplanifikuara të avionëve të mëdhenj transportues ajror.

Sipas tij, ana financiare është pothuajse e përkryer dhe mbeten vetëm disa detaje sa i takon infrastrukturës rrugore.

Aeroporti

Zyrtarja shqiptare, sakaq, theksoi se zona ku po ndërtohet, nuk është lagunore, por i përket një hapësire të vjetër ajrore.

Balluku nënvizoi se janë marrë të gjitha lejet mjedisore, sipas standardeve të BE-së, duke qenë se ka pasur kontestime të forta nga ana e shoqërisë civile dhe organizatave mjedisore.

Ministrja shtoi se ky aeroport do të jetë i vetëmjaftueshëm nga aspekti energjetik, pasi do të jetë i mbuluar nga panelet diellore.

Pra, do të gjenerohet rreth 5.3 MWh, e cila përkon me sasinë që do t’i duhet aeroportit për të operuar në kapacitetet e saj.

“Jemi në pikën ku të gjitha projektet janë gati të aprovuara. Kemi filluar me aprovimin e nënkontraktorëve”, ravijëzoi në vijim të bashkëbisedimit Pacolli.

Sipërmarrësi premtoi se brenda vitit do të bëhet mbushja e gjithë territorit (2 milionë metër kub mbushje) dhe konstruksioni metalik i të gjitha ndërtesave (vëllim prej 38 mijë metra katrorë).

Së bashku me ministren shqiptare, ai tregoi se në këtë moment të projektit dominojnë makineritë, por do të ketë lëvizje qarkore (100 kamiona në ditë) me 600 deri në 700 punëtorë.

Në përmbyllje, kryeministri rezervoi një batutë për Pacollin, duke i sjellë në vëmendje se “ka ndërtuar gjysmën e Kazakistanit”.

“Ke ndërtuar gjysmën e Kazakistanit atje, këtu do të thonë erdhi Behgjet Pacolli nga Prishtina i bëri Vlorës aeroport”, iu drejtua Rama-sipërmarrësit.

Kujtojmë që ky aeroport do të jetë edhe më i madhi në Shqipëri, duke lënë pas atë të Rinasit.

Inaugurimi i punimeve u bë më 28 nëntor dhe kompania fituese, e cila do të zhvillojë punimet është “Mabetex Group”, e themeluar nga Pacolli.

Çfarë ndodhi më 28 nëntor?

“Me në krye bacën Behgjet njoftojmë zyrtarisht nisjen e punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.

Kështu u shpreh kryeministri Rama, paraditen e 28 nëntorit në ceremoninë e nisjes së punimeve për këtë aeroport.

Të pranishëm, përveç kryeministrit, ishte edhe ministrja Balluku dhe sipërmarrësi Behgjet Pacolli.

Kompania e këtij të fundit – konsorciumi “Mabco Construction”, “Mabetex Group” – u shpall fitues më 5 mars të këtij viti për ndërtimin e aero portit.

Si Rama, edhe Balluku falënderuan Pacollin për gjithë mundësitë që do t’i hapë qytetit të Vlorës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore