Sport

Adriano: Lukaku më ngjason mua, do të shënojë tre gola ndaj Porto-s


Ish-sulmuesi i Interit, Adriano, ka thënë se Romelu Lukaku dhe ai janë të ngjashëm dhe parashikon se sulmuesi belg do të shënojë tre gola kundër Porto-s.

Ish-sulmuesi brazilian luajti një nga ndeshjet e tij më të mira për Inter-in kundër Porto-s në vitin 2005, duke shënuar tre gola në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve.

Interi do të takohet përsëri me portugezët këtë të mërkurë, në ndeshjen e fazës së 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve.

“E mbaj mend atë ndeshje sikur të ishte dje. Ishte e mrekullueshme për mua”, tha Adriano për Gazzetta.

“Inter-i është në zemrën time. Unë gjithmonë përpiqem t’i shikoj në televizor. Unë kam një lidhje kaq të fortë me fansat dhe është mirë të shoh komentet e tyre në rrjetet sociale me kaq shumë njerëz që shkruajnë ‘Imperatore’ në italisht”, shtoi legjenda braziliane.

Lukaku është rikthyer së fundmi në aksion pas një dëmtimi dhe nuk është sekret që Adriano ishte një nga idhujt e tij si fëmijë. ‘Perandori’ ishte një nga arsyet pse Lukaku iu bashkua zikaltërve nga Manchester United në vitin 2019.

“Romelu dhe unë jemi shumë të ngjashëm në shumë mënyra, jo vetëm për këmbën e majtë apo fizik”, pranoi Adriano.

“Jam i sigurt se ai do të shënojë një gol të mrekullueshëm kundër Porto-s, në fakt, ai do të shënojë tre njësoj si unë”, shtoi Adriano.

Lukaku ka shënuar vetëm tre gola në 13 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon. Drejtori i Inter-it, Piero Ausilio, tha të hënën se belgu “duhet të fokusohet në fushë” dhe të mos mendojë për të ardhmen, duke qenë se ai është i huazuar në “Stadio Meazza” nga Chelsea.

Adriano shënoi 75 gola në 177 paraqitje me Nerazzurrët dhe gjithashtu luajti për Fiorentina , Parma dhe Roma në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore