Tregjet

Administrata Biden ka gati direktivën për rregullimin e tregut të kriptovalutave


Duke filluar nga muaji i ardhshëm, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po përgatitet që të publikojë një strategji mbi asetet digjitale (kriptovalutat).

Sipas agjencisë së lajmeve “Bloomberg”, administrata pritet t’u ngarkojë agjencive federale detyrën për të vlerësuar rreziqet dhe mundësitë e këtyre aseteve.

Direktiva, e cila do t’i paraqitet presidentit Biden në javët e ardhshme, e vendos Shtëpinë e Bardhë në qendër të përpjekjeve të Washington-it për t’u marrë me kriptovalutat.

Agjencitë federale kanë kritika dhe opinione të ndryshme ndaj aseteve digjitale.

Ekipi i Biden-it po përballet me vështirësi për ta udhëhequr këtë çështje.

Përfaqësuesit e industrisë së kritpove, shpesh janë ankuar për mungesën e një rregulli të qartë për rregullimin e tregut.

Nga ana tjetër, të tjerë shqetësohen se influenca, që Kina apo shtete të tjera kanë mbi këto monedha, mund të kërcënojnë dominimin e dollarit.

Kjo lëvizje e administratës Biden vjen në një kohë të rritjes së interesit të konsumatorëve në tregun e paqëndrueshëm të kriptove.

Bitcoin, kriptomonedha më e madhe dhe më e lëkundshme, ra nën vlerën e 37 mijë dollarëve të premten, krahasuar me vlerën më të lartë të të gjitha kohërave prej gati 69 mijë dollarë nëntorin e kaluar.

Në draft-projekt detajohen sfidat ekonomike, rregullatore dhe ato të sigurisë kombëtare, të cilat vijnë si pasojë e kriptovalutave.

Ndërkohë, sipas kësaj direktive, agjencitë e tjera mund të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke përmendur, ndër të tjera, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Tregtisë.

Kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten konkurruese, ndërsa bota miraton gjithnjë e më shumë asetet digjitale.

Plani i administratës, duke përfshirë direktivat në urdhër, mund të modifikohet më tej përpara se të finalizohet, shkruan Bloomberg.

Monedha Digjitale e Bankës Qendrore

Administrata pritet gjithashtu të peshojë mbi mundësinë që SHBA të emetojë një monedhë të mbështetur nga qeveria, e njohur si një monedhë digjitale e Bankës Qendrore ose CBDC.

Por, sipas burimeve të së përditshmes, administrata ka të ngjarë të mos i meshojë fort këtij qëndrimi, pasi Rezerva Federale (Fed) është ende duke e shqyrtuar këtë çështje.

CBDC-ja mund të jetë një mënyrë që SHBA-ja të qëndrojë konkurruese me rritjen shpërthyese të kriptomonedhave të prodhuara privatisht apo nga kombe të tjera, përfshirë Kinën.

Marrë nga “Bloomberg”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore