Muzikë

Adele i rikthehet skenës e kapluar nga lot dhe emocione


Adele - Artiste

Ikona e muzikës të Britanisë së Madhe, Adele, thuhet të ketë qenë shumë e emocionuar në koncertin e saj “An Audience with Adele”, të mbajtur fundjavën që lamë pas.

Burime të ndryshme të përditshmeve britanike thanë se ylli i hitit “Someone like you”, ka shpërthyer në lot gjatë rikthimit të saj në muzikë pas disa vjetësh pauzë, larg artit dhe larg publikut.


“An Audience with Adele”.

Por, si përherë, Adele nuk zhgënjeu as kësaj here, pasi që fansat të cilët ishin të pranishëm në koncertin e mbajtur në “London Palladium”, kanë thënë për mediat angleze se pavarësisht emocioneve të shumta, ajo i mahniti ata me performancën e saj.

Këngëtares së  “Easy On Me” iu bashkuan një sërë yjesh të muzikës dhe filmit në Palladiumin e Londrës ku ajo këndoi katër këngë të reja, të padëgjuara më parë nga albumi i saj i ardhshëm, “30”.

Naomi Campbell dhe Dua Lipa në tepihun e kuq të koncertit “An Audience with Adele”.

Dua Lipa, Idris Elba, Ema Wattson, Naomi Campbell dhe Michael McIntyre ishin mes të famshmëve të ftuar në audiencë, si dhe shoku i saj Alan Carr që iu bashkua asaj në skenë.

Adele nuk ka mbajtur asnjë koncert në Mbretërinë e Bashkuar që nga shfaqjet e saj në “Wembley Stadium” në qershor të vitit 2017.

“Adele ishte lozonjare dhe argëtuese në skenë, por mund të thuash se po ndjente presionin. Ajo dukej më mirë se kurrë, por pati disa fillime të vështira gjatë gjithë mbrëmjes, qoftë kjo për shkak të problemeve teknologjike apo nervave të saj”.

“Por, ishte një ngjarje absolutisht e pabesueshme”, tha një burim që ishte pjesë e audiencës.

Koncerti i bujshëm “An Audience with Adele”, do të shfaqet nga ITV me datë 21 nëntor të këtij viti, 48 orë pasi që albumi i saj kushtuar ndarjes nga ish-bashkëshorti, Simon Konecki –  “30”, të jetë publikuar.

Adele duke u shoqëruar nga i dashuri, Rich Paul për në koncertin e saj.

Theksojmë se edhe i dashuri i ri i Adele, agjenti sportiv, Rich Paul, ishte gjithashtu prezent në shfaqje dhe e shoqëroi atë në udhëtimin e saj të parë në Mbretërinë e Bashkuar pas pothuajse dy vitesh. Pas koncertit ata u panë duke u nisur për në shtëpi me një makinë së bashku.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore