Sport

Abissnet Superiore nis me spektakël dhe 14 gola në dy ndeshje


Kanë përfunduar dy ndeshje e të shtunës në Abissnet Superiore në Shqipëri, Tirana dhe Vllaznia kanë marrë tri pikët e para për këtë sezon 2021/22, në javën e parë të kampionatit.

Gjashtë gola janë shënuar në ndeshjen e Tiranës dhe tetë te Vllaznia. Kryeqytetasit kanë triufmuar me rezultatin 4-2 përballë Skënderbeut. Shkodranët kanë fituar me rezultatin e thellë 5-3 ndaj Laçit, në shtëpinë e këtyre të fundit.

Tirana ka marrë tri pikët, falë golave të Jocelin Behiratche, Michael Ngo dhe Vesel Limaj. Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 4 nga Behiratche. Por, dy minuta më vonë, korçarët do të barazonin takimin me anë të Jean Victor Goncalves.

Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 1-1, ndërsa në pjesën e dytë, Tirana do të ishte më kërkuese në fushë.

Me fillimin e pjesës së dytë, do të vinte edhe goli i parë i të rikthyerit te bardheblutë, Ngo. Anglezi shënoi golin e parë individual dhe të dytin për Tiranën në minutën e 59.

Goli i tretë për Tiranën erdhi nga Limaj, në minutën e 69. Katër minuta më vonë, ishte përsëri Ngo që do të shënonte, duke vulosur shifrat për Tiranën.

Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, Alfred Mensah shënoi për Skënderbeun, duke i çuar shifrat në 4-2 për bardheblutë, çka ishin dhe shifrat përfundimtare të takimit.

Në ndeshjen tjetër, Vllaznia kaloi e para në avantazh përballë Laçit me dy gola, që u shënuan nga Liridon Latifi në minutën e 11 me penallti dhe Victor da Silva në të 24 minutë.

Kurbinasit barazuan me dy gola të shpejtë në minutat 34 dhe 39, me anë të Dejan Zarubica. Por, do të ishin përsëri shkodranët që do të kalonin në avantazh në minutën e 41 me anë të Ante Aralica.

Kur u mendua se pjesa e parë do të përfundonte me avantazhin e shkodranëve 2-3, Regi Lushkja shënoi golin e tretë për vendasit, duke vendosur barazpeshën në minutën e 45+1.

Pjesa e dytë prodhoi lojë nga të dy skuadrat, por do të ishin shkodranët që do të shënonin edhe dy herë të tjera në portën e Laçit.

Fillimisht shënoi Erdenis Gurishta në të 48 minutë dhe pak sekonda nga përfundimi i takimit, Kaina Nunes da Silva Amarante shënoi për 5-3, duke vulosur shifrat përfundimtare të takimit.

Abissnet Superiore nisi ditën e premte me sfidën Teuta – Partizani, e përfunduar me fitoren minimale të durrsakëve 1-0. Të dielën do të luhen dy sfidat e mbetura: Egantia – Kukësi dhe Kastrioti – Dinamo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore