Sport

Abissnet Superiore/ Kampionët presin nën kampionët, Laçi përballet me Dinamon


Dy sfida do të sjellë kjo e premte në Abissnet Superiore. Teuta përballet me Vllazninë dhe Laçi do të presë Dinamon.

Ndeshjet do të luhen për llogari të javës së 11 në Superiore. Të dy këto ndeshje hapin javën, e cila mbyllet me tre ndeshjet e tjera të shtunën.

Duke filluar nga ora 13:45, kurbinasit do të përballen me “Nëndetësen blu”, në stadiumin “Laçi”. Vendasit kërkojnë rikthimin te fitorja në kampionat, pas një barazimi dhe një humbje. Miqtë e fituan përballjen e fundit në kampionat.

Aktualisht, Dinamo gjendet më lartë në renditje se vendasit. 13 pikë kanë miqtë nga kryeqyteti, kundrejt 12 të kurbinasve. Përkatësisht ndodhen në vendin e pestë dhe të shtatë.

Përballja e fundit mes tyre, e luajtur gjatë fazës së parë të kampionatit, përfundoi në barazim me shifrat 1-1.

Sfida tjetër e kësaj të premte në Superiore do të luhet në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 16:45. Kampionët në fuqi të Teutës përballen me nën kampionët e Vllaznisë.

Kjo do të jetë sfida e parë e Renato Arapit në krye të stolit të durrsakëve. Sezonin e shkuar ai ishte kapiteni i Teutës dhe një nga futbollistët kyç në fitimin e titullit kampion.

Teuta kërkon rikthim te fitorja në Superiore pas dy humbjeve dhe një barazimi. Në krahun tjetër, shkodranët do të provojnë të ruajnë ritmin, pasi kanë dy fitore në dy ndeshjet e fundit.

Në Superiore, shkodranët renditen më lartë. Ata mbajnë vendin e tretë me 16 pikë. Durrsakët mbajnë vendin e katërt me 13 pikë. Përballja e fundit mes tyre, e luajtur gjatë fazës së parë përfundoi me shifrat 1-1.

Superiorja do të luajë të shtunën tre sfidat e mbetura të javës së 11: Egnatia – Tirana, Kastrioti – Kukësi dhe Partizani – Skënderbeu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore