Sport

Abissnet Superiore, e shtuna sjellë dy përballje


Në elitën e futbollit shqiptar, Abissnet Superiore, dita e shtunë do të sjellë dy përballje. Skënderbeu do të presë Partizanin dhe Vllaznia pret Teutën.

Ndeshjet janë për llogari të javës së dytë të Superiores. Ndeshja e parë do të luhet në Korçë, duke filluar nga ora 16:45 dhe ajo në Shkodër duke filluar nga ora 19:45.

Skënderbeu dhe Partizani do të kenë një përballje për të siguruar pikët e para këtë kampionat. Të dy skuadrat kanë humbur në javën e parë.

Korçarët u mundën nga Tirana me rezultatin 4-2, ndërsa “Demat e Kuq” u mundën minimalisht 1-0 nga Teuta në “Elbasan Arena”.

Vetëm katër muaj më parë ishte përballja e fundit e Skënderbeut dhe Partizanin. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1.

Në sfidën tjetër, atë mes Vllaznisë dhe Teutës, të dy skuadrat vijnë nga rezultati pozitiv në javën e parë. Vllaznia mundi me rezultatin e thellë 5-3 Laçin dhe Teuta mundi 1-0 Partizanin.

Përballja e fundit e dy skuadrave ishte para një muaji në Superkupën e Shqipërisë. Ndeshja përfundoi me fitoren e pastër të Teutës në shifrat 3-0.

Superiorja do të luajë të dielën dy ndeshjet e fundit të javës së dytë: Tirana – Egnatia dhe Kukësi – Kastrioti. Të premten u luajt sfida mes Dinamos dhe Laçit, e përfunduar në shifrat 1-1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore