Sport

Abissnet Superiore/ E premtja vjen me dy sfida interesante


Dita e premte do të sjellë dy përballje në Abissnet Superiore. Laçi pret Dinamon dhe Teuta pret Vllazninë. Ndeshjet do të luhen për javën e 11 të kampionatit.

Skuadra kryeqytetase, Dinamo do të luajë përballë Laçit me 3 dhjetor, në orën 13:45 në stadiumin “Laçi”. Blutë synojnë fitoren dhe marrjen e tri pikëshit.

Këtë gjë ka shprehur dhe vetë trajneri i Dinamo-s, Bledi Shkëmbi i cili ka thënë se “Ne duhet të luajmë fortë dhe të dalim fitimtarë nga fusha e Laçit”.

Ai shtoi gjithashtu që duke ditur edhe vështirësinë që do të kenë me skuadrën e Laçit, si një skuadër e fortë “duhet të bëjmë maksimumin” për të dalë fitues.

Në ndeshjen e parë përballë njëra-tjetrës, rezultati përfundimtar ishte me shifrat 1:1. Aktualisht, Dinamo renditet e pesta në Superiore me 13 pikë. Laçi renditet i shtati me 12 pikë.

Ndeshja tjetër e datës 3 dhjetor do të jetë Teuta- Vllaznia. Shkodranët kërkojnë të ruajnë ritmin e fitores. Në krahun tjetër, durrsakët pas dy humbjeve dhe një barazim kërkojnë të rikthehen te fitorja.

Takimi do të luhet duke filluar nga ora 16:45 në “Elbasan Arena”. Vllaznia është e treta në renditje me 16 pikë. Ndërsa, Teuta e katërta me 13 pikë. Ndeshja e fundit mes tyre përfundoi me rezultatin 1:1.

Superiorja do të vijojë me tre ndeshjet e mbetura të shtunën. Egnatia pret Tiranën, Kastrioti përballet me Kukësin dhe Partizani pret Skënderbeun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore