Lajme

Abdxhiku për Kurtin: Ende s’e kupton që është udhëheqës i shtetit


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për vrasjen e një grua shtatzënë të mërkurën në Prishtinë, derisa ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që mos të flas si opozitar.

“Kryeministri na flet si analist e si opozitar. Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka kërkuar nga Kurti që të angazhohet për shërbime më të mira shëndetësore në spitalet e vendit.

“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”, shtoi ai.

Po ashtu e ka akuzuar kryeqeveritarin se e ka lënë vendin qe një kohë të gjatë pa Kryeprokuror të Shtetit.

“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”.

Deputeti i LDK-së ka këkuar nga Kurti që ta kërkoi përgjegjësin, “le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë”.

“Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim. Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro”, ka shtuar ai.

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Në anën tjetër i dyshuari S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, vazhdojnë të jetë në arrati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore