Kosova

Abdixhiku viziton familjen e Rugovës, në ditëlindjen e 77-të të tij


Lumir Abdixhiku së bashku me bashkëpartiak gjatë vizitës në familjen e Rugovës për nder të 77 vjetorit të lindjes së tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 77 vjetorin e lindjes së ish-liderit shtetëror e politik, Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e tij.

Te gruaja Fana dhe bijtë Mendimi e Uka dhe vajza Teuta, të Presidentit të ndjerë, Rugova, Abdixhiku shkoi së bashku me bashkëpartiak, përfshirë edhe kryetarin në ardhje të Prishtinës, Përparim Rama.

Me ç’rast Abdixhiku duke e përkujtuar mundin dhe veprën e Rugovës, tha se ai ishte arkitekti i shtetit të Kosovës, prijësi historik i lëvizjes për lliri, pavarësi e demokraci.

“Veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve në këto anë. Ato sot qëndrojnë si themele të forta e të palëkundura të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të Republikës sonë”, shkroi Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.

Lumir Abdixhiku gjatë vizitës në familjen e Rugovës për nder të 77 vjetorit të lindjes së tij

Sipas tij, Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar.

“Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1988 Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 23 dhjetor 1989 ai krijoi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes popullore për liri, pavarësi e demokraci”, kujtoi ai.

Ai u zotua se rruga që Rugova nisi e trasoi, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin në LDK.

“Këto vlera themeltare për organizmin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore