Lajme

Abdixhiku për Kurtin: E do krizën, u bë lajm i mediave të huaja – jo për investime, po për luftë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi ky i fundit tha se ka pasur rrezik të përshkallëzohej situata në Veri gjatë tensioneve të ditëve të para të gushtit.

Kreu i LDK-së, ka theksuar se Kurti është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot, por sipas tij, jo për investime, jo për integrime, “por për luftë në Kosovë”.

“Kaq për mesazhin tonë nëpër botë”, ka shkuar Abdixhiku në Facebook.

“Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka potencuar se “Kurti e dëshiron krizën”, duke shtuar se e ëndërron protagonizmin tek paniku.

“Sikurse Vuçiçi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol”.

“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë. Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”.

Deputeti i LDK-së ka theksuar se Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim.

“Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarake, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik”.

Ai ka shtuar se paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiç-it e i Serbisë.

Kurti, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se ka pasur rrezik të përshkallëzohej situata në Veri gjatë tensioneve të ditëve të para të gushtit.

“Rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd. Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Madje, sipas kryeministrit, “rreziku ekziston” ende, “por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë”.

Sa për barrikadat që u vendosën nga serbët në Veri, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e masave reciproke për targat dhe hyrje/daljet e serbëve në Kosovë, Kurti pohon se ato s’kanë qëllim veç bllokimin e rrugëve.

“Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë”, deklaron ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore