Lajme

Abdixhiku pas zhvendosjes së “Sunny Hillit”: Refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë jetës kulturore në Prishtinë


Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Reagim për mosmbajtjen e festivalit “Sunny Hill Festival” në Prishtinë, ka pasur edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ekzekutivi nuk është duke lejuar që të ndërtohet vendi.

“Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë”.

Ai anulimin e një festivali të tillë e ka quajtur “skandal”, pasi sipas tij një event i tillë përcjellë vlera të shumta kulturore.

“Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do”.

“Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë”.

Abdixhiku, konsideron se kjo vetëm po tregon më shumë për politiken aktuale në Kosovë.

“Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë”.

Sunny Hill Festival, këtë vit do të organizohet në Tiranë.

Kështu ka konfirmuar për Albanian Post, Visar Breznica, njëri nga organizatoret e këtij festivali.

“Po, do të zhvendoset në Tiranë data e njëjtë vetëm loakcioni ndërrohet”, ka thënë Breznica për AP.

17 hektarë tokë ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë

Ndyrshe 17 hektarë tokë bujqësore në Bernicën e Poshtme, ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill”.

Me 26 për, 19 kundër dhe 3 abstenime në seancën e Kuvendit Komunal ishte votuar pro dhënies së tokës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet. Për të votuar ata kërkuan të ndryshohen disa pika.

Sunny Hill Festival.

“Nuk jemi kundër, por janë diskutabile disa pika. Ndërprite sot dhe kthehu pas dy apo tri dite me një kontratë më të favorshme dhe na keni të gjithë asamblistëve pro. Një pronë publike prej 17 hektarësh, përafërsisht është 30 fusha futbolli, po ja japim një kompanie. Jemi fuqishëm t’i ndajmë parcelë ‘Sunny Hillit’, por duhet të arrihet një barazi interesi”, kishte thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Festivali Sunny Hill në dy vitet paraprake ishte mbajtur në Gërmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore