Lajme

Abdixhiku, Kurtit: Bëj diçka, leje një shenjë, sepse të mos bësh asgjë është njëjtë si të korruptohesh – të dyja e varfërojnë shtetin


Lumir Abdixhiku

Për Lumir Abdixhikun, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Albin Kurti nuk po bën asgjë dhe s’po merr asnjë vendim.

Si kundërshtar politik i Kurtit, Abdixhiku thotë se kjo i konvenon shumë.

“Zgate zot”, tha ai në fjalimin e tij në seancë të Kuvendit të Kosovës.

Por, kjo mosbërje po e dëmton shtetin dhe qytetarët, prandaj “bëj diçka Albin, bëjë një vij, leje një shenjë diku”.

“Bëhu i guximshëm. Mos u fut në paranoja, s’kemi hile në këtë propozim për heqje të akcizës dhe TVSH-së. Mos-bërja është njëjtë sikur korrupsioni, të dyja të varfërojnë. Ti po i varfëron të gjitha shtresat”.

Sa për politikisht, Abdixhiku tha se Kurti po bënë atë që i konvenon atij si opozitar.

“Politikisht je duke shkuar ku kam dëshirë të shkosh, si kundërshtar politik, veç vazhdo. Zgate zot”.

“Ndoshta ndryshimi i kostumit tuaj nga opozita në pushtet ju bën të mendoni se ka ndryshuar edhe gjendja por e vërteta është ndryshe. Kosova nuk ka zhvillim ekonomik”, pohoi Abdixhiku.

“Inflacioni në Kosovë është 13 për qind. Rekord historik në Kosovë. Ky inflacion s’vjen brej Albinit, po prej Putinit, po çështja është jo çka bën Putini, po çka bën Albini. Prandaj ne kemi punë me Albinin dhe jo me Putinin”.

“Me 13 për qind inflacion ato 50 mijë euro të baxhanakut (që iu gjetën deputetit të Vetëvendosjes e tha se janë të baxhanakut të tij) sot bëjnë 40 mijë”.

“Ne kemi propozim: reduktim të akcizës dhe TVSH-së. Unë ju kuptoj që keni inat më propozuesin dhe jo me propozimin. Po ngritni çështje që nuk po i kuptoni mirë. S’mund të rritet fitimi kur ulen çmimet, këtë duhet ta kuptoni.  Me propozimin tonë nuk është se ndalet rritja e çmimit, por edhe në rritje të çmimit paguhet më pak, këtë po e themi”.

Abdixhku më pas ka vazhduar me një përshkrim të kategorive të njerëzve që merren me politikë, të cilët i ka ndarë në katër grupe.

“Janë katër lloje të njerëzve në politikë. Grupi i parë i njerëzve është që e dinë që dinë. Konjufca është i tillë, prandaj e respektoj. Pastaj janë ata që  s’dinë që dinë. Këta duhet t’i inkurajojmë. I treti është ata që dinë që s’dinë. As këta s’janë të dëmshëm. Kurse grupi i katërt janë ata që s’dinë që s’dinë. Këta janë shumë problem”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore