Lajme

Abdixhiku: Kosova s’do të jetë e qetë pa zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë, me anëtarë të kryesisë së partisë dhe bashkë me familjen Maloku, nderuan dhe kujtuan veprën e ish zyrtarit të lartë të LDK-së, Enver Maloku.

Abdixhiku u shpreh se Kosova nuk do të jetë e qetë pa zbardhjen e vrasjes tinëzare të Enver Malokut.

“Në këtë 23-vjetor të trishtë për LDK-në, për familjen e tij, nuk do të mbesim të qetë as ne, as familja, as një qytetar i Kosovës derisa të zbardhet plotësisht e vërteta për vrasjen tinëzare të tij”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se Maloku me themelimin dhe udhëheqjen e Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi duke bërë të vërtetën si burim informacioni, por shtoi se nuk do të jenë të qetë deri në zbardhjen e vrasjes së tij.

“Si pararendës i gazetarisë moderne të Republikës së Kosovës, në të gjithë terrin informativ që Kosova po përjetonte, Enver Maloku, si themelues e prijës i Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi që bëri të vërtetën burim informacioni gjithandej nëpër botë”, shtoi Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se Enver Maloku, si një figurë e lëvizjes paqësore të Kosovës, ishte tronditje e madhe për çdo familje shqiptare të Kosovës.

“Viti 1999 ka qenë po ashtu vit i vështirë për çdo njeri në Prishtinë, por ë e Enver Malokut, një figure të lëvizjes paqësore të Kosovës, ka qenë vrasje e ëndrrave tona për liri por që për fatin tonë të mirë, për shkak të veprave të tij dhe njerëzve si ai, këtë liri e gëzojmë sot, unë, familja ime, fëmijët e mi dhe ju gjeneratat e ardhshme, prandaj e kujtojmë e nderojmë përherë”, përfundoi Abdixhiku.

Tash e 23 vite janë bërë nga publicisti dhe anëtari i LDK-së, Enver Maloku, i cili ishte edhe njeri shumë i afërt me ish-presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova .

Enver Maloku u vra më 11 janar të vitit 1999 në hyrje të banesës së tij, pasi paraprakisht me 1998 i kishte shpëtuar një atentati tjetër.

Ish zyrtari i lartë i LDK-së, Enver Maloku.

Maloku është i dekoruar me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë” si dhe Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga ish-presidentët Ibrahim Rugova, respektivisht Atifete Jahjaga.

Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e kishte dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore