Lajme

Abdixhiku ia “vizaton” Muratit rritjen e çmimeve: Paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka reaguar ndaj pretendimeve të ministrit të Ekonomisë, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se “çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit”.

Për kreun e LDK-së, përveç se pretendimet e ministrit Murati janë “përpjekje për mashtrim”, ai përmes një “vizatimi” tentoi t’i tregonte ministrit se shkalla e inflacionit s’ka pësuar rënie të theksuar krahasuar me nivelin e disa muajve më parë, por përkundrazi.

“Pushteti na thotë se çmimet janë normalizuar. Një tjetër përpjekje mashtrimi. Po ja u vizatoj. Çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127. Dhe rritja vazhdon. Sepse paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje”, shkroi Abdixhiku.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore