Lajme

Abdixhiku akuzon qeverinë se futi Kosovën në agjendën e Serbisë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është i bindur që fokusimi në teknikalitete nga Qeveria e Kosovës ia ka humbur vizionin e fotografisë së madhe dhe e ka bërë Kosovën pjesë të agjendës së Serbisë, që është destabilizimi në Veri.

“Çështja e madhe dhe me rëndësi është stabiliteti në Kosovë dhe fokusimi në marrëveshjen finale, prandaj kur merremi me çështje teknike Kosova futet në agjendën e Serbisë”, tha Abdixhiku në një intervistë për Zërin e Amerikës, derisa po qëndron për vizitë në Uashington.

“Çështja e parë me rëndësi është stabiliteti brenda territorit të Kosovës. Nuk duhet të bëhemi vatër e provokimeve të Serbisë. Prandaj, është e rëndësishme që të ketë koordinim me ndërkombëtarët, me theks të veçantë SHBA-të”, pohoi ai.

“Çdo vonesë në këtë koordinim, lë hapësirë edhe për destabilizim edhe për situata të paparashikueshme. Por lë gjurmë të pariparueshme edhe në relacioneve me aleancat e veta”.

Abdixhiku, ka thënë se gabimi i madh që ka bërë Qeveria e Kosovës është se e ka vënë popullin para zgjedhjes mes ligjshmërisë (aplikimit të vendimit për targat) dhe aleancave (vënia kundër kërkesave të SHBA-së për shtyrje të vendimit).

Ai ka përsëritur se një qeveri serioze do të duhej ta dinte se “duhet të shmanget status quo-ja” dhe se “çdo marrje për çështje teknike nuk është në favor të Kosovës dhe interesave tona euro-atlantike”.

“Kemi nevojë për guxim politik dhe marrëveshjen që ka njohjen në thelb të saj. Nuk duhet të biem në gracën e destabilizimit”.

Ai, duke përshkruar vizitën e tij në SHBA, tha se ajo çfarë po ndodhë në Kosovë mund të lë gjurmë që bëhen “vështirë të riparueshme” në raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe “këtë e kemi vërejtur edhe këtu në Uashington, por edhe në Evropë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore