Lajme

Abazoviç: Vizita e Osmanit konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve


Vjosa Osmani dhe Dritan Abazoviç

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vizita e saj në Mal të Zi konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve fqinje, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Në këtë takim, siç thuhet në komunikatë, u theksua se potenciali ekonomik dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mund të përmirësohet edhe më tej me organizimin e një forumi biznesi me pjesëmarrës nga Kosova dhe Mali i Zi.

Në këtë kontekst, u potencua gjithashtu se për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik duhet të punohet për lidhje më të mira infrastrukturore, siç është ndërtimi i drejtimeve të reja rrugore Plavë-Deçan dhe Rozhajë-Pejë.

Osmani e Abazoviç, u pajtuan se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Podgoricës janë miqësore dhe bazohen në parimet e besimit reciprok, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës së përbashkët evropiane dhe euroatlantike.

Ndryshe, në kuadër të vizitës zyrtare në Podgoricë, presidentja Osmani ka takuar edhe presidentin malazez Milo Gjukanoviç, me të cilin patën edhe një konferencë të përbashkët për media.

Ndërkaq, në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit, ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi.

Osmani e Gjukanoviç: E ardhmja e vendeve tona është në BE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore